Rikthimi johistorik i Fatos Nanos

21/04/2012 00:00

Andrea Stefani – Nëse ka diçka historike në bëmat politike të Fatos Nanos, kjo diçka
është dorëzimi paqësisht i pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2005.

Një akt që Sali Berisha, ai që e mori pushtetin atëherë nga Nano, nuk e ka bërë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë kurrë në jetën e tij. Por Nano, bën një rikthim aspak historik duke dëshmuar një lakmi mediokre për postin e Presidentit të Republikës. Sepse e tillë ishte jo vetëm strategjia, por edhe zhargoni dhe sloganet që shpalosi në intervistën dhënë Sokol Ballës në “Top Story”. Një intervistë e përmbytur nga epshi për postin më të lartë të shtetit dhe pazaret politike për ta kapur atë, po ku nuk ndihej fare meraku për rivendosjen e atyre balancave dhe ngjalljen e atyre institucioneve rrënimi i të cilave po shpie në varr shtetin dhe demokracinë.

* * *

Të marrim vetëm sloganin e stërpërdorur “të lëshojmë pushtet për të bërë shtet” që Nano e nxori përsëri në qarkullim nga sëndukët e mykur të qeverisjes së tij të dikurshme. Është pa fjalë një flluskë dhe prandaj, e bukur dhe tërheqëse si të gjitha flluskat. Premton të thotë diçka, por nuk thotë asgjë. Dhe si të gjitha flluskat, nuk ofron asgjë përveç mashtrimit të dëgjuesve me konotacionin e vetësakrifikimit të krishterë të pushtetit për hir të shtetit. Po kush ia ka mësuar këtij “burri shteti” se e mira e shtetit kërkon që pushteti (qeveria) të lëshojë pushtet? Pushteti i jepet qeverisë që ta ushtrojë, madje deri në fund, në masën që i njeh Kushtetuta dhe ligji. Pushteti jepet që të ushtrohet dhe jo që të lëshohet. Po kështu, bërja e shtetit kërkon që pushteti (qeveria) jo të japë, por të mos marrë atë pushtet që nuk i takon. Dhe nëse një pushtet ka marrë më shumë pushtet se ç’i takon, akoma më keq kur lakmon edhe më, është naive, utopike ose djallëzore të predikosh se çështja mund të zgjidhet me predikime morale si ky i dhënies vullnetarisht të pushtetit. Sepse një pushtet që e ka dëshmuar me dekada se gjakon patologjikisht për më shumë pushtet, nuk mund të kandiset me fjalë të lëshojë pushtet. Një pushtet i tillë tallet e skërqesh me të tilla moralizime mediokre që në fakt, janë një formë e shndërruar e dogmës komuniste të sakrifikimit të interesit personal për hir të interesit të përgjithshëm. Parulla nanoiste “të lëshojmë pushtet për të bërë shtet” do kishte një lloj kuptimi sikur t’i drejtohej jo klasës politike, aq më pak opozitës që pushteti po e zhvesh dita me ditë nga çdo pushtet, por pushtetit berishist, këtij grabitqari të pangishëm pushtetesh. Nano nuk e bëri këtë ngaqë e di fare mirë se Berisha nuk do ta votonte kurrë nëse percepton tek Nano kandidatin e një Presidenti garantues të institucioneve që ai mezi po pret t’i kullufisë. Kështu, duke e bazuar strategjinë e tij për kapjen e Presidencës edhe te votat e Berishës, Nano është i destinuar t’i japë garanci Berishës se do të jetë Presidenti që i duhet Berishës. Pra do të jetë Presidenti që nuk do ta pengojë Berishën të marrë edhe më shumë pushtet për të shkatërruar shtetin demokratik. Një ardhmëri që nuk mund të mos bjerë ndesh me parullën nanoiste “të lëshojmë pushtet për të bërë shtet”. Nga ana tjetër, nëse Berisha vendos ta votojë Nanon për President, duhet t’u shpjegojë shqiptarëve se përse dikur thërriste “ta shporrim qelbësirën” ndërsa sot ta votojmë atë?! Nëse gjërat zhvillohen kështu, do jetë vështirë që publiku të mos perceptojë se sa i thellë është degradimi moral i këtij grupi politikanësh që s’ka asnjë parim të shenjtë, asnjë akuzë të vërtetë, asnjë gënjeshtër të rreme. Këta politikanë që 20 vjet më parë u ngritën kundër pushtetit në emër të lirisë ndërsa sot ngrihen kundër lirisë dhe shtetit në emër të pushtetit.

* * *

Në intervistën e Nanos kishte gabime fatale, në radhë të parë në vlerësimin ndaj opozitës dhe një qëndrim dukshëm prej servili ndaj persekutorit dhe agresorit të tij të djeshëm, Berisha. Pikërisht Nano, që nuk vrau njeri në emër të shtetit edhe pse ndërtesën e Kryeministrisë Berisha ia sulmoi me kallashë, bazuka e tanke, pati padrejtësinë të thotë se në 21 janar “si opozita ashtu edhe pozita tejkaluan të drejtën”. Vetëm një kalkulim djallëzor për pushtet, me interesa krejt të tjera nga ato të ndërtimit të shtetit, mund të barazojë dhunën me gurë e shkopinj që rëndom ndodh në protestat e rrugës, me vrasjen e protestuesve të pafajshëm nga qeveria. Të justifikosh me gjoja gabimet e opozitës apo edhe të Presidentit e Kryeprokurores, që qeveria të ushtrojë një pushtet dhune mbi njerëzit duke i marrë deri edhe jetën, nuk ka asnjë lidhje me moton “të lëshojmë pushtet për të bërë shtet. Një qëndrim i tillë është të shkelësh mbi gjakun e 4 të martirizuarve në 21 janar, sepse edhe pse me fjalë shpreh ngushëllime për familjet e tyre në fund fare ke thënë: më vjen keq që u vranë, por vetë e kishin fajin dhe jo ajo që i vrau, qeveria! Pas kësaj do të qe e vështirë që opozita e majtë të jepte votat për një politikan që ende pa u bërë President nuk është në gjendje, më saktë nuk ka integritet, të ndajë atë që e ka parë gjithë Bota, vrasësin nga të vrarët. E si mund të jetë në gjendje ky njeri të ndajë pushtetin nga pushteti?

* * *

Nëse Xhorxh Uashingtoni pas largimit nga pushteti do kish kërkuar të rikthehej përsëri, nuk do përjetësohej në histori. Etja për pushtet nuk e lë Fatos Nanon të kuptojë se akti i vërtetë historik i tij ishte ai largim që jo vetëm shënoi hapjen e ciklit të ndërrimit paqësor të pushtetit në historinë e shtetit shqiptar, por edhe të qarkullimit të liderëve historikë të kohës së Murit të Berlinit. Sot demokracia shqiptare ka problem largimin e Sali Berishës që synon qartazi të kapë, të paktën, 30 vjet në krye të politikës dhe pushtetit. Rekorde që e përafrojnë atë me liderë të kohës së luftës së ftohtë si Enver Hoxha. Kur në momentet e rënies së diktaturës demonstruesit thërrisnin Enver-Hitler(!), kishin parasysh edhe këtë jetëgjatësi aspak demokratike në krye të pushtetit, edhe pse diktatori kish pasur kujdes ta vishte atë me “votë të lirë”, sikundër vishet me çorape të lara një shputë e pisët. Por pikërisht kur opozita përpiqet të fshijë nga lista një Berishë të stërvjetëruar në politikë, Fatos Nano fluturon nga Vjena dhe thërret: shënomëni edhe mua! Në fakt, kërkon pushtet për të sakrifikuar shtetin. Edhe pse thotë të kundërtën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel