Francë, rivalët presidencialë

21/04/2012 00:00

Zgjedhjet presidenciale të 2012-ës në Francë janë një ndër betejat më të ashpra për postin e kreut të shtetit prej dekadash të tëra.

Nicolas Sarkozy

Nëse humbet të djelën, Nicolas Sarkozy mund të kthehet në të parin president të vendit që prej Valery Giscard d’Estaing në 1981-shin, që nuk siguron mandat të dytë.

I zgjedhur në 2007-ën, me një avantazh bindes prej 6 pikësh kundrejt rivales së atëhershme socialiste, Segolene Royal, lideri konservator tani ka përballë një kundërshtar shumë më ndryshe, dhe siç thonë disa, shumë më të fortë, Francois Hollande.

5 vitet në detyrë nuk kanë qenë dhe aq të mbara për njeriun që zuri vendin e Jacques Chirac me premtimet e një fillimi të ri dinamik në ngjyrat e partisë së tij Unioni për Lëvizjen Popullore.

Politikat sociale radikale të tipit rritje e moshës së daljes në pension në 2010-ën, nga 60 në 62 vjeç, shkaktuan pakënaqësi të mëdha nga të majtët, ndërsa aleatët nisën të ankohen për stilin e tij drejtues.

Janë të famshme qortimet Chirac në librin e vet të kujtimeve, ku Sarkozy e përshkruan si “irritues, të nxituar, me besim të tepruar në vetëvete dhe narcizist”.

Pengesa më e madhe me të cilën mund të përballet megjithatë në këto zgjedhje është ekonomia franceze, që në janar mori një goditje të fortë me uljen në klasifikim të Standard’s and Poor’s, nga niveli “3A” ne “2A+”.

Pika e tij e fortë ka qenë gjithmonë mënyra sesi është përballur kriza ekonomike, argument të cilin nuk ka lënë rast pa ia përmendur votuesve francezë, edhe pse siç thoshte dhe vetë, mund të mos e kishin shumë për zemër. Pas uljes në klasifikim, edhe kjo armë në dorën e Sarkozy nuk pati më të njëjtën fuqi.

Francois Hollande

Sfidanti i tij, Francois Hollande, një organizator politik partiak me eksperiencë shumë të gjerë, shpresa më e madhe e Partisë Socialiste për fitore, nuk ka mbajtur kurrë një post qeveritar.

Shumë e shohin si një politikan të moderuar, mënyrat e qeta të të cilit kontrastojnë ndjeshëm me intensitetin dhe energjinë e presidentit aktual. Imazhi i tij modest, siç argumentojnë simpatizantët, fsheh megjithatë një vendosmëri të çeliktë për ta udhëhequr këtë vend.

Që të merrte biletën e partisë për 2012-ën, Hollande iu desh të triumfonte në zgjedhjet e ashpra paraprake, të cilat vunë në një sprovë të vështirë jetën e tij politike, por edhe atë private.

Jacques Chirac, që kolegun e vet të djathtë e ka shpotitur sa ka mundur, socialistin e përshkruan si “një burrë të vërtetë shteti”, të aftë të kapërcejë linjat partiake.

Pavarësisht meritave të tij, disa e shohin Hollande si një zëvendësues të dobët të ish-shefit karizmatik të FMN-së, Dominique Strauss Kahn, kandidatura e të cilit u rrëzua nga skandali seksual i vitit të kaluar.

Claude Allegre, ish-ministër socialist, shokoi shumë pjesëtarë të partisë me vendimin e tij për të mbështetur Sarkozy e për refuzimin e Francois Hollande si njeri të pavendosur e aspak të përshtatshëm për të qenë një lider kombëtar.

Dyshimet mbi aftësitë politike të Hollande nisën të shfaqen menjëherë pas intervistës ku njoftoi se planifikon vendosjen e një takse prej 75% për qytetaret e pasur të Francës, pohime të cilat duket se i kishte bërë pa u konsultuar më parë me këshilltarët e tij.

Hollande insiston se paktit fiskal të BE-së i duhet shtuar elementi “rritje ekonomike” përpara se të raitifkohet nga Parisi dhe thotë se është kundër parimit: “Të kursesh vetëm për hir të kursimit”.

Top Channel