Nano dhe Berisha, komplementarë të politikës, por jo të Shqipërisë

22/04/2012 00:00

Zamira Çavo – Vetëshpallja e kandidaturës për president nga z. Nano, duket se përfundimisht ka shpërngulur vëmendjen e opinionit publik nga problemet e ditës, nga kriza nga skandalet politike etj., duke i bërë shërbimin e radhës qeverisjes aktuale.

Media për gjatë gjithë kohës do të merret me analiza e kundëranaliza të x apo y kandidati të mundshëm për kreun e shtetit. Kaq mjafton për ta lënë rehat qeverinë në “punët” e saj. Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Z. Nano dhe herë të tjera i ka ardhur në ndihmë komplementarit të tij politik, z. Berisha. Por pavarësisht kësaj, ajo që tingëllon pak e paqartë është “ngutësia” që z. Nano ka për të bërë vetëshpalljen publike të kandidaturës së tij. Dikush mund të thotë se është momenti i duhur për ta bërë këtë. Politikisht mendoj se nuk është ky momenti ideal. Nuk besoj se ka njeri që nuk e di se politika nuk “luhet” në publik. Pyetja që lind është e thjeshtë: A po luan z. Nano “blofin” politik?

Në pamjen e parë duket sikur z. Nano, ky politikan karriere dhe liberal në të gjithë aktivitetin e tij politik (liberal deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë publike), po përdor vetëm kartën e “aftësive” të tij, duke tentuar mbështetjen e opinionit publik në “imponimin” e tij te Partia Socialiste, e cila duhet ta paraqesë si kandidaturë. Por realisht nuk duket të jetë kështu! Nisur nga diskursi i komplikuar i z. Nano në intervistën e tij, mund të dallohej shkarazi një moment jo fort i qartë i marrëdhënieve të tij me PS. Vetë z. Nano, kritik deri në kulm ndaj lidershipit socialist dhe sidomos, me qëndrimin që mbajti ndaj ngjarjeve të 21 janarit, zor se gjen “shtigje” te lidershipi socialist për ta kandiduar. Por edhe nëse do të ishte kështu, z. Nano e ka shumë të qartë që kandidimi nga opozita nuk do të mund të pranohet nga pala tjetër, qoftë ky dhe z. Nano. Pra loja politike për z. Nano nuk luhet në kulisat socialiste, luhet sigurisht tek ata që e kanë mundësinë e zgjedhjes reale të tij. Mes PD-së dhe LSI-së, mundësia më e madhe që z. Nano të kandidohet është kjo e fundit. Berisha, për asnjë arsye, nuk do të kandidonte z. Nano, sikur dhe vetë Obama t’ia kërkonte këtë. Shkaku dihet. Berisha nuk ka treguar as më të voglën lëkundje politike ndaj interesave që përfaqëson Partia Demokratike. Ndaj është jashtë çdo logjike politike që PD të kandidojë z. Nano. Mundësia më e mirë është që z. Nano të kandidohet si alternativë nga LSI-ja. Në këtë rast, mes kandidaturës x të PD-së dhe kandidaturës së z. Nano, ka shumë mundësi që në votim të fitojë z. Nano, pasi sikundër është thënë, merr vota djathtas e majtas. Ky skenar duket sa i prekshëm, aq dhe virtual. Por përse do ta toleronte z. Berisha këtë kandidim? Ose le ta shtrojmë ndryshe pyetjen:

Pra kujt i intereson z. Nano president? Sigurisht, jo Shqipërisë. Dyshja politike Nano-Berisha, sikundër e tha vetë z. Nano, është komplementare në politikë. Kjo do të thotë se riciklimi i z. Nano do të tërheqë pas vetes dhe riciklime të tjera të një të kaluare politike, nga e cila jemi lodhur dhe duam të shkëputemi. Me fjalë të tjera, na duhet të kemi sërish dyshen komplementare!!! Për 20 vjet, kjo dyshe e ka lënë vendin në spontanitet dhe pasiguri në rritje. Ka me qindra shqiptarë që thonë: Mjaft më me këta politikanë!!! Pra Shqipëria nuk përfiton nga ky komplementarizëm politik. Përkundrazi. Institucioni i Presidentit nuk ka shumë “favore”, por ka një favor të madh, “Drejtësinë”. Z. Nano, për shkak të ambicieve të veta politike dhe ëndrrës së tij presidenciale, ka shumë mundësi të “shkëmbejë” zgjedhjen e tij, me Drejtësinë. Kjo do të thotë që z. Berisha, pavarësisht situatave që rrjedhin, të ketë “dorën e tij” në këtë sistem. Mundësi perfekte e kompelmentarizmit politik!

Shqipëria ka nevojë për një figurë me vlera morale dhe mbi të gjitha, të përgjegjshëm për rolin e tij publik. Nëse para një problemi të madh të vendit, presidenti do të largohej, duke e lënë shtetin pa udhëheqje, nëse do të ndodhte një fatkeqësi dhe kreu i shtetit do të ishte diku në “buzuk” dhe kur papërgjegjshmëria, të çon drejt një individualizmi ekstrem, nuk besoj se ka shqiptarë që do ta dëshironin një të tillë!!

Por ka të tjerë që pretendojnë se Shqipërisë i duhet një president që të mos lejojë palët të bëjnë si të duan. Sipas tyre, z. Nano është ai i duhuri! Mundet. Por me aq sa ka demonstruar liberalizmin e tij deri në ekstrem, them se z. Nano toleron gjithçka nuk i prek interesat e tij. Por ka treguar se toleron gjithçka tjetër! Shqipëria ka nevojë për qetësi, por ka nevojë, mbi të gjitha, për një “burrë shteti” të denjë për të qëndruar mbi palët politike, por jo mbi popullin!

Ja pse them se dalja publike e z. Nano me pretendimin e vetëkandidimit, është më shumë një tërheqje vëmendje nga realiteti se sa një “përpjekje” individuale për të gjetur “djep” mbështetës të kandidaturës së tij politike!. Ajo që na mbetet është të mos lejojmë më riciklime të politikës së vjetër. Mendoj se më parë se të bëhemi “tifozë” të kësaj apo asaj kandidature politike për president, të përpiqemi të gjejmë mundësi që kasta e vjetër të lërë tashmë rrugën e lirë, për të tjerë individë, që nuk i mungojnë këtij vendi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel