Francë, tre në garë për kryeministër

14/05/2012 21:45

Nga selia e përgjithshme e Francois Hollande nuk del asnjë informacion, por burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se lista e ministrave të qeverisë së re është gati.

Së shpejti do të vijë edhe njoftimi për kryeministrin. Për kollturkun numër 1 janë tre emra: Jean Marc Ayrault, Martine Aubry dhe Manuel Valls, që flitet edhe për postin e ministrit të Brendshëm.

Por në dritë ka dalë gjithashtu emri i Pierre Moscovici, që është në lojë për postin e ministrit të Jashtëm, bashkë me Laurent Fabius. Ndërsa për Ekonominë duket e sigurt se do të drejtohet nga Michel Sapin.

Ndërkohë, sprova të forta e presin shefin e ri të Elizesë, sidomos përsa i takon politikës së jashtme. Të gjithë presin të shohin cila do të jetë linja diplomatike që ai do të adoptoje.

Ditë më parë, socialisti i parë në krye të shtetit francez që nga koha e Francois Miterrand, i konsideruar një sfidues i zgjidhjes gjermane të krizës së borxhit, deklaroi se fitorja e tij më në fund do t’i krijojë Europës idenë se masat shtrënguese anti-krizë nuk janë opsioni i vetëm.

“Për Hollande, rritja nënkupton shtim të investimeve qeveritare, por për Angela Merkel ajo do të thotë të kesh treg të ndryshueshëm pune sepse njerëzit do të trajnoheshin për vende të reja pune. Parashikoj probleme të mëdha mes këtyre të dyve”, shprehet Philippe Morea Defarges, analist politik.

Në fjalimin e fitores përpara mijëra mbështetësve, Hollande premtoi barazi, drejtësi dhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë francezë. Ai u zotua se do të ngrejë taksat për të pasurit, të investojë më shumë në arsim dhe i mëshoi inkurajimit të rritjes ekonomike.

Top Channel