Cech: Shansi i fundit për Chelsea

15/05/2012 20:20

Petr Cech theksoi se finalja e Ligës së Kampioneve ndaj Bayern Munchen do të jetë shansi i fundit për “gardën e vjetër” të Chelsea për të fituar trofeun më të lakmuar të Europës.

“Finalja e të shtunës mund të jetë mundësia e fundit për lojtarë si Drogba, Terry, Lampard dhe unë, kështu që duhet të fitojmë”, deklaroi portieri çek për mediat angleze.

Finalja e së shtunës do të jetë e dyta për Chelsea në historinë e klubit anglez. Finalja e mëparshme ishte ajo e vitit 2008 ku Blutë e Londrës humbën me 11-metërsha ndaj Manchester United pas gabimit deciziv të kapitenit John Terry.

Në lidhje me kundërshtarët gjermanë, Cech komentoi: “Bayern ka shumë lojtarë teknikë që e pasojnë topin shpejt. Mund të jetë një ndeshje si ajo ndaj Barcelonës, por ne duhet të luajmë më mirë.”

Ish-portieri i Rennes vlerësoi edhe kolegun e tij gjerman Manuel Neuer: Është një nga më të mirët në botë dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për Bayern gjatë gjithë sezonit.”

Finalja e madhe e Champions League do të luhet të shtunën në orën 20.45 në Allianz Arena të Mynihut.

Top Channel