Francë, emërohet kabineti i ri ministror

16/05/2012 15:25

Jean-Marc Ayrault u betua ditën e mërkurë si kryeministri i ri i Francës, një ditë pasi Francois Hollande nisi zyrtarisht detyrën e tij si president.

Disa orë më pas, ai shpalli kabinetin e tij qeverisës, ku spikasin dy emra në veçanti.

Pierre Moscovici, i cili ishte shefi i fushatës zgjedhore të Hollande, i caktua Ministër i Financave, ndërsa ish-kryeministri Laurent Fabius, do të jetë Ministri i ri i Jashtëm.

Ayrault, një aleat i vjetër i Hollande, mori çelësat e zyrës së pallatit Matigon nga kryeministri në largim, Francois Fillon, që e mirëpriti me një ceremoni të thjeshtë zyrtare.

Nga ana e tij, shtypi francez është përqendruar në faktin se liderja e partisë socialiste, Martine Aubry, ka refuzuar të bëhet pjesë e kabinetit, duke mos pranuar që të drejtojë “Superministrinë”, të njohur ndryshe si ministri pa portofol.

Sipas burimeve pranë saj, Aubry konsideron si të vetmen detyrë të përshtatshme për të atë të kryeministres.

61-vjeçarja konsiderohej si rivalja kryesore e kryeministrit të ri. Ajo sfidoi edhe Hollande në luftën brenda partisë për të fituar emërimin si kandidat për president.

Top Channel