Eurozona, Cameron: Të zgjidhet kriza

16/05/2012 00:00

Pas deklaratave të përbashkëta të Angela Merkel-it dhe presidentit të ri të Francës, Francois Hollande se Greqia nuk duhet të dalë nga unioni i monedhës së përbashkët, lideri i vendit që zgjodhi të mos e firmoste paktin fiskal duke tërhequr pas vetes edhe Republiken Çeke, paralajmëron se eurozona duhet të veprojë shpejt për zgjidhjen e krizës së borxhit, përndryshe rrezikon të shpërbëhet.

“Eurozona duhet të zgjedhë: nëse do të vazhdojë kështu siç është, atëherë duhet të krijojë mekanizmat e duhur mbrojtës duke marrë masa për të siguruar anëtarët më të dobët të saj, në të kundërt, secili duhet të shkojë në drejtimin e vet. Pra me pak fjalë, Unioni o do të bëhet, o do të zhbëhet dhe zgjedhja duhet të vijë sa më parë sepse koha nuk pret”, deklaroi kryeministri britanik, Cameron.  

Komentet e kryeministrit britanik vijnë një ditë pasi Ministrat e Financave të zonës së Euros i hodhën poshtë spekulimet e largimit të Greqisë, duke i cilësuar propagandë apo absurditet, pa harruar për çdo rast të theksojnë se vendi duhet të respektojë programin e dorëzanisë dhe kushtet e vëna nga BE e FMN. në të njëjtën linjë ishte dhe kancelarja Merkel e shefi i Elizesë, Hollande.

“Çfarëdo që ne mund të bëjmë nga ana struktore për t’i ardhur në ndihmë Greqisë, për të ndihmuar me rritjen, me organizimin, ne duam ta bëjmë dhe besoj se kemi rënë dakort që Greqia i përket Bashkimit Europian dhe Eurogrupit. Kjo është diçka të cilën duam ta promovojmë”, u shpreh kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Uroj që të mund t’u themi grekëve se Europa është e gatshme të shtojë masat në ndihmë të rritjes e të mbështesë aktivitetin ekonomik. Është përgjegjësia ime t’i jap Greqisë një sinjal. I kam parë vuajtjet dhe sfidat e tyre dhe duhet ta dijnë se do të marrim masa të cilat t’u lejojnë qendrimin në Eurozonë”, tha presidenti francez, Hollande.

Presidenti socialist francez Hollande pak orë pas betimit në pallatin Elysée udhëtoi drejt Berlinit për vizitën e parë zyrtare. Kancelarja Merkel e vlerësoi këtë hap: “Ne gëzohemi, që ai erdhi tek ne në ditën e parë të tij si president dhe aq më shumë, që ai erdhi, megjithëse avioni i tij u godit nga rrufeja”.

Në Berlin ai mbërriti më një orë e gjysmën vonesë, pasi avioni u godit vërtet nga një rrufe dhe duhej të kthehej. Hollande udhëtoi me një avion tjetër në drejtim të Berlinit. Vetë Hollande u shpreh: “Shpresoj të bindim europianët, se ne e kemi vullnetin që kancelarja dhe presidenti të punojmë së bashku për të dyja vendet, për marrëdhëniet gjermano-franceze dhe Europën.”


Guvernatori i Bankës së Anglisë: Gati për shpërbërjen e euros

Banka e Anglisë uli parashikimet e saj për rritjen vjetore në 0,8%  nga 1,2% që ishte parashikuar për 2012-n, duke theksuar se “stuhia” e Eurozonës përbën ende një kërcënim kryesor për rimëkëmbjen e Britanisë dhe të gjithë kontinentit.

“Eurozona është në një çast kritik të ekzistencës së saj dhe në qoftë se sistemi do të shpërbëhet, askush nuk mund të mendojë se meqë përdorim një monedhë tjetër, do të shpëtojmë nga rrjedhojat negative të krizës”, deklaroi guvernatori i Bankës, Sër Mervyn King.

Në një konferencë për shtyp ndërsa prezantoi informacionet për tremujorin e parë të 2012-s për ekonominë, Mervyn konfirmoi se Banka i ka të gatshme planet që do të zbatojë në rast të shpërbërjes së monedhës së përbashkët euro.

“Kërcënimi që vjen nga Eurozona është më i madhi edhe për rimëkëmbjen e ekonomisë britanike. Ekziston një rrezik i një stuhie që po i drejtohet ishujve tanë nga kontinenti. Jemi duke përjetuar krizën globale më të fuqishme që prej Depresionit të Madh të viteve 1930, me defiçitin më të madh fiskal në kohë paqeje dhe partnerët tanë më të mëdhenj tregëtar, ata që formojnë Eurozonën, janë të mbërthyer në një situatë që duket si e pazgjidhshme”.

Në fjalën e tij, guvernatori i Bankës së Anglisë gjithsesi theksoi se nuk ka një rrezik real për kalim në recesion të Britanisë së Madhe, ndërsa shtoi se objektivi për një inflacion më të ulët se 2% duhet të realizohet pa vështirësi.
 

Top Channel