Franca vë në dyshim paktin fiskal

17/05/2012 13:50

Ministri i ri i Financave në Francë ka përsëritur se qeveria e re socialiste e vendit nuk do ta ratifikojë paktin fiskal të Bashkimit Evropian.

Pierre Moscovici deklaroi se pakti duhet të përfshijë rezerva financiare për rritjen ekonomike para se Franca ta nënshkruajë atë.

Pakti fiskal synon të sigurojë që qeveritë të mbajnë nën kontroll më të rreptë shpenzimet dhe të reduktojnë nivelet e borxhit.

Presidenti francez Francois Hollande, i cili u betua ditën e martë, po bën lobim për një përqendrim tek rritja ekonomike përkrah masave anti-krizë. Sipas tij, vetëm masat anti-krizë nuk mund ta zgjidhin krizën e borxhit të eurozonës.

“Ajo që kemi thënë qartë është se traktati nuk do të ratifikohet ashtu siç është dhe se ai duhet të përmbushet me një kapitull të posaçëm për rritjen ekonomike, me një strategji për rritjen ekonomike”, ka thënë Moscovici.

Në një intervistë televizive, e para që nga marrja e detyrës, ai ka folur edhe për shqetësimet se Franca mund të ketë dorë të butë përsa i përket disiplinës së buxhetit.

“Dua të jem shumë i qartë, Francois Hollande e ka thënë disa herë, ne duhet të frenojmë borxhin publik dhe të reduktojmë defiçitin. Kjo është thelbësorja. Një vend që ka rritje të borxhit është një vend që po varfërohet”, ka shtuar shefi i Financave.

Për të dhënë një shembull, qeveria franceze ka deklaruar se do të vendosë një shkurtim prej 30 për qind të rrogave të presidentit dhe ministrave të qeverisë.

Komentet e zotit Moscovici vijnë pak ditë pas takimit të parë mes presidentit Hollande dhe kancelares Angela Merkel, në të cilin u diskutua për krizën ekonomike në eurozonë.

Top Channel