Frikë nga krisja Paris-Berlin

18/05/2012 02:00

Përtej buzëqeshjes përpara kamerave dhe zotimeve të përbashkëta për mbajten e Greqisë në Eurozonë, takimi i përzemert Merkel-Hollande në Berlin nuk arriti ta fashisë mospërputhjen e thellë të qëndrimeve mbi paktin fiskal europian.

Ministri i sapocaktuar francez i Financave, Pierre Moscovici e tregoi qartë se frika për një krisje mes Berlinit dhe Parisit e ka një bazë, kur deklaroi se Franca nuk do ta ratifikojë marrëveshjen europiane mbi disiplinat buxhetore nëse nuk përmban masa për stimulimin e rritjes ekonomike.

“Presidenti francez Francois Hollande është mëse i ndërgjegjshëm për seriozitetin e krizës me të cilën përballet Europa. Por qeveria e re socialiste do t’i qëndrojë premtimeve të fushatës të bëra nga Hollande, përfshirë këtu zotimin e tij për të inkorporuar dimensionin e rritjes në paktin fiscal”, tha Pierre Moscovici , Ministër i Financave, Francë.

Për rritjen nevojitet një strategji ambicioze, insistoi Moscovic, që e përshkroi veten si një europian të bindur. “E dime se të vetëm nuk bëjmë dot gjë”, është shpehur ai. Dhe se duhet të punojmë së bashku me të gjithë partnerët tanë, sidomos me institucionet europiane dhe me Gjermaninë”.

Fokusi i qeverisë së re do të jetë kriza greke, konsolidimi i Eurozonës dhe sigurisht, riorientimi i përpjekjeve europiane në favor të rritjes.

Kabineti francez zhvilloi mbledhjen e tij të parë ku u ra dakord për shqyrtimin e kujdesshëm të shpenzimeve publike dhe uljen e rrogës së ministrave e asaj të presidentit me 30%, një tjetër premtim elektoral ky i Francois Hollande.  

Anëtarët e kabinetit janë gjendur vec të tjerash edhe përballë detyrimit për të përdorur trenin për udhëtime më të shkurtra se tre orë, kthimin e dhuratave që kushtojnë më shume se 150 euro, dhe eleminimit të cdo rreziku të mundshëm për konflikt interesi. 17 burrat dhe 17 gratë që përbëjnë qeverinë franceze pozuan së bashku për foton zyrtare përpara se të nisnin rrjedhën normale të punës.  

Top Channel