Francë, ulje pagash për presidentin e kabinetin

18/05/2012 08:15

Kabineti i ri qeveritar në Francë nisi detyrën e tij me vendimin për të shkurtuar me 30% pagat për ministrat dhe presidentin Francois Hollande.

Siç ishte premtuar gjatë fushatës, paga mujor e kreut të shtetit u reduktua nga 21 300 euro në 14 910 euro në muaj.

Ky shkurtim bie në kontrast të plotë me vendimin e presidentit paraardhës, Nicolas Sarkozy, që rriti rrogën e tij në momentin e marrjes së detyrës.

Megjithatë, partia e Sarkozy tashmë në opozitë (UMP), kritikoi vendimin duke thënë se shkurtimi është vetëm një lëvizje politike për të bërë të mundur pagimin e një administrate shumë më të fryrë.

UMP vuri në dukje se vetëm në administatë janë 14 poste më shumë se sa kabineti i parë i presidentit Sarkozy.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të UMP-së, Jean-Francois Cope, shkurtimi i pagave nuk mund të fshehë realitetin. “Qeveria e Hollande do t’u kushtojë shumë ëm tepër taksapaguesve. Me 14 ministra më shumë, shtohen pagat e dhjetëra kolegëve mbi buxhet”, tha Cope.

Nga ana e tyre, socialistët janë mbrojtur duke thënë se ndonëse kabineti i parë i Sarkozy ishte shumë më i vogël, ai e mbylli qeverisjen e tij me 31 ministra, vetëm tre më pak se qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Jean-Marc Ayrault.

Top Channel