Francë, 54 për qind besojnë tek Hollande

19/05/2012 00:00

Rreth 54 për qind e francezëve deklarojnë se kanë besim tek presidenti i ri socialist Francois Hollande dhe 60 për qind tek kryeministri i ri Jean Marc Ayrault.

Kështu thotë një sondazh i realizuar nga instituti “Harrys Interactive” për televizionin M6.

Në të kundërt, 46 për qind thonë se nuk kanë besim tek banori i ri i pallatit Elize, ndërsa 39 për qind kanë një vlerësim jo pozitiv për krahun e tij të djathtë.

Mes ministrave, në krye është ai i Brendshëm, Manuel Valls, me 59 për qind vlerësime pozitive, ndërkohë që qeveria e re në tërësi mbështetet nga 43 për qind e të intervistuarve.

Katër ditë më parë Francois Hollande bëri betimin në pallatin Elize duke marrë zyrtarisht detyrën e kreut të shtetit. Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm politikanë të shumtë.

Kur hyri në Elize, Hollande shtrëngoi duart me parardhësin e tij Nicholas Sarkozy, me të cilin zhvilloi edhe një takim kokë më kokë.

Një ditë më vonë u betua edhe Jean Marc Ayrault si kryeministri i ri i Francës, i cili disa orë më pas shpalli dhe kabinetin e tij qeverisës.

Duke qenë se kriza ekonomike do të jetë sfida kryesore e mazhorancës së re, kabineti qeveritar e nisi detyrën e tij me vendimin për të shkurtuar me 30% pagat për ministrat dhe vetë presidentin Hollande.

Top Channel