Diskutimi i kandidaturës së Nishanit

11/06/2012 00:00

Votimi i raportit në komisionin e ligjeve për të verifikuar kushtetueshmërinë e kandidaturës ss Bujar Nishanit për president nuk kaloi në shumë qetësi. Deputët e opozitës ngritën dyshime për kushtetueshmërinë e kandidimit të zotit Nishani.

Dyshimet u ngritën nëpërmjet pyetjeve të nënkryetarit socialist të komisionit të ligjeve, Fatmir Xhafaj. “A ka në listën e propozuesve deputetë, që kanë firmosur në listë të mëparshme? Pasi kjo bie ndesh me rregulloren e Kuvendit”, pyeti Xhafaj.

“Për sa kohë kandidatura është tërhequr nga kandidimi, deputetët janë të lirë. Edhe nëse ka, ata janë të lirë të propozojnë një kandidaturë tjetër, me kusht që e mëparshmja të jetë tërhequr”, u përgjigj demokrati Viktor Gumi.

Pikëpyetja e dytë e socalistëve kishte të bënte me përputhshmërinë e mandateve të presidentit dhe ministrit të Brendshëm.

“Ne nuk shohim dorëheqje të kandidatit nga posti i ministrit të Brendshëm. A ka një dokument të tillë, që ai ka dhënë dorëheqjen? Zoti relator, mendoni ju që proçedimi me kandidaturën e zotit Nishani nuk krijon një veprim anti-kushtetues?”, pyeti sërish Xhafaj.

“Anti-kushtetueshmëria krijohet kur bëhet betimi. Për këtë kushtetuta është e qartë. Sa për dorëheqjen, ajo nuk është paraqitur”, ka sqaruar nga ana tjetër Gumi.

Ashtu si paradite, kur u verifkuan kërkesat kushtetuese për Artan Hoxhën, deputeti socialist Saimir Tahiri bëri të njëjtën kërkesë për verifikimin e së kaluarës së zotit Nishani, kërkesë për të cilën mori përgjigje nga kryetari Ilir Rusmali.

“Mund të marrim për kandidatin e dytë një dokument nga SHISH-i që të mos na dalë si i pari”, tha Tahiri. “Nuk mund të marrë përgjigje. Sipas Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, për komisionin mjaftojnë kaq. Shpifjet ne nuk i mbështesim”, u përgjigj Rusmali.

Ndryshe nga paraditja, ku vetëm një deputet votoi kundër, pasdite të gjithë anëtarët e opozitës votuan kundër kandidaturës së Bujar Nishanit për president.

Top Channel