Tirana, akuza Moskës e Beogradit

12/06/2012 00:00

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, lëshoi kritika ndaj politikës nacionaliste serbe si dhe ndaj politikës ruse, për shkak se sipas tij po e bllokojnë perspektivën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Por nga ana tjetër, përfaqësuesi diplomatik i Tiranes zyrtare kritikoi ata që siç tha ai kanë vënë në qarkullim tezën e ekzistences së kombit kosovar.

“Ju e dini se kohëve të fundit na kanë dalë disa teza, edhe të prodhimit vendor, por edhe nga importi, për një histori alternative, një histori tjetër nga jo që njohim deri tani. Me gjykimin nga ato që di, me këto teza pseudo-shkencore, bartësit e tyre kanë vetëm një qëllim. Cili është qëllimi i tyre? Që shqiptarët t’i lënë pa histori, t’ua vjedhin historinë, t’i lënë pa kujtesë historike dhe duke e lënë pa histori dhe pa kujtesë historike do të thotë që t’i lëmë pa të ardhme, sepse një popull dhe një komb pa histori nuk ka të ardhme”, deklaroi Lauka.

Këto komente ambasadori shqiptar në Kosovë i bëri të hënën në hapjen e konferencës dyditore me temën “Shekulli i shtetit shqiptar”.

“Sa i takon akuzës për Shqipërinë e madhe, që është riaktivizuar këto kohë, para 2-3 ditësh, edhe nga Aleksander Konjuzhin, ambasador i Federsatës Ruse në Beograd. Unë duhet t’iu kujtoj edhe Beogradit dhe Moskës që Shqipëria, vendi që përfaqësoj, është ndër të parat që e ka njohur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe bën ç’është e mundur e ç’varet prej saj që këtij shteti të ri t’i hapen rrugët, t’i hapen dyert për bashkëpunim rajonal, t’i hapen dyert për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare dhe kjo nuk është politikë shtetmadhe, por është politikë e fqinjësisë së mirë”, vijoi Lauka.

Në hapjen e kësaj konference, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, duke e përshëndetur nisjen e saj, tha se pa themelimin e shtetit shqiptar nuk do të kishte ardhur as deri te krijimi i shtetit të Kosovës.

Top Channel