Nëpërmjet një deklarate për median, Fatos Nano ka uruar socialistët
shqiptarë me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste,
duke u bërë thirrje, që të vazhdojnë  të ecin bashkë, të fitojnë bashkë e
ta qeverisin dhe transformojnë Shqipërinë bashkë.

Këtë përshëndetje drejtuar socialistëve, themeluesi i PS-së Fatos Nano e ka përdorur për të sulmuar ashpër kreun aktual të PS Edi Rama kur thotë se: ” I vetmi që na ndan ne sot është vetëm ai njeri që e quan veten Kryetar të Partisë Socialiste, edhe pse ai që ditën që ka vënë këmbë në krye të partisë sonë, ka shkaktuar veç humbje, humbje, dhe humbje. Edi Rama sot ju ka shkaktuar juve të dashur socialistë humbjen e rradhës. Beteja, qëndrimi dhe strategjitë e tij noprane, pamend dhe prej arlekini, i dhuruan Sali Berishës fitoren e rradhës, duke i lënë fushë të lirë Berishes qe  ta zgjedhi vetë Presidentin që donte. Unë prej muajsh e javësh i ofrova Edi Ramës dorën e bashkëpunimit dhe bashkimit, por Edi Rama e refuzoi me këmbëngulje. I kërkova të kalonim nga zona e mosmarrëveshjeve tek zona e marrëveshjeve për të mirën e socialistëve dhe Shqipërisë, por Edi Rama përsëri refuzoi”.

Fatos Nano ka lëshuar një lumë me akuza ndaj Edi Ramës, të cilat lidhen me takimin mes tij dhe Ilir Metës në Gjirin e Lalëzit.

” Ky paloKryetar  ka guximin e më akuzon mua se qenkam përdorur si diversion dhe tallje nga Qeveria, në një kohë kur Edi Rama rendi si batakçi nëpër natë me një torbë me ëndrra perverse Kryeministrore drejt Gjirit të Lalzit, ku shiti brenda një nate 4 viktimat e 21 janarit, 26 viktimat e Gërdecit, zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet e 2009, grevën e urisë të dhjetra deputetëve dhe socialistëve, e mijëra e mijëra sakrifica madhore që socialistët e mirë dhe të ndershëm kanë bërë për të. Pas darkës së Gjirit të Lalzit, nëse ka patur një njeri që Qeveria e ka përdorur dhe tallur keqazi, ky është Edi Rama”, thuhet në letër.

Pas dështimit për të tretën herë për të qënë ai kreu i shtetit, Fatos Nano i kërkon socialistëve ta mbështesin në marrjen në donë te fateve të PS.
 
“Unë tashmë u vetëofrohem të gjithë socialistëve dhe popullit opozitar që së bashku të marrim fatet e Partisë Socialiste dhe të Shqipërisë në duart tona e të mos lejojmë më që humbjet e parreshtura të socialistëve të kthehen në humbje për Shqipërinë, nëpërkëmbja e socialistëve të kthehet në nëpërkëmbje për Shqipërinë, kriza e Edi Ramës të qëndrojë si kërcënim e ndëshkim krizash për Shqipërinë”.

Nano dhe reagimet e njëpasnjëshme

Pas një periudhe heshtje prej gati tre ditësh, Fatos Nano ka qenë tepër aktiv gjatë të hënës me qendrime dhe deklarata. Më e fundit ishte ajo pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, të cilin Nano e ka përshëndetur.

Por vetëm pak orë më parë, pas deklaratave të kreut socialist se mazhoranca po bënte diversion me Fatos Nano, ish-lideri i PS-së, Fatos Nano për herë të parë pas shumë vitesh ka lëshuar një deklaratë të ashpër në adresë të Kryeministrit Berisha.

Por le të marrim me radhë qendrimet e zotit Nano në orët e pasdites, pak përpara se të niste raundi i katërt për votim, pas dorëheqjes së papritur të Artan Hoxhës dhe kandidimit të Bujar Nishanit, në një deklaratë të Lëvizjes Fatos Nano për President theksohej se ish-kryeministri Fatos Nano pas konsultave me konstitucionalistë paralajmëronte mazhorancën se me zgjedhjen e Bujar Nishanit po kryente një veprim anti-kushtetues për shkak se ky i fundit mbante njëkohësisht edhe postin e Ministrit të Brendshëm.

Çka sipas zotit Nano përbën një shkelje të rëndë të ngjashme deri diku me atë të zotit Ilir Beqaj ish-deputet i Partisë Socialiste i cili humbi mandatin e tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Rreth 60 minuta më pas në një tjetër deklaratë, shprehej zhgënjimi i zotit Nano për rrjedhën që kishte marrë procesi. Në minutat që i paraprinin zgjedhjes së Bujar Nishanit, zoti Nano sulmoi vetëm dhe ashpër kryeministrin Berisha, të cilin ai e quan përgjegjës të vetëm të krizës politike në vend.

 

Top Channel