Egjipt, Parlamenti mposht ushtrinë

10/07/2012 00:00

Parlamenti egjiptian është mbledhur shkurt ditën e martë, duke fituar kështu sfidën e hapur nga Këshilli Ushtarak, që kishte urdhëruar shpërndarjen e tij.

Mbledhja e asamblesë së Parlamentit ishte kërkuar nga presidenti i sapozgjedhur Mohammed Mursi, pas mbylljes së këtij institucioni muajin e kaluar nga regjimi ushtarak, pas një vendimi të gjykatës.

Në bazë të urdhërave të presidentit Mursi, kryetari i Parlamentit organizoi një seancë ditën e martë, që u shoqërua me turma njerëzish të mbledhura në sheshin Tahrir, duke sfiduar vendimin e Këshillit Ushtarak.

Vllazëria Myslimane, që gëzon shumicën në Parlament, ashtu sikurse kishte njoftuar, ka marrë pjesë në marshimin në favor të presidentit.

Më herët Këshilli Ushtarak shprehu besimin se, të gjitha institucionet do të respektonin ligjin dhe kushtetutën, duke iu referuar vendimit të gjykatës.

Por anëtarë të Vllazërisë Myslimane deklaruan se ishte ushtria ajo që dështoi në respektimin e ligjit, duke i dhënë vetes kompetenca të reja pasi shkriu Parlamentin muajin e kaluar.

Top Channel