Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç duket se po del me një qëndrim
të ri kundrejt Kosovës, pasi ka deklaruar se ai nuk do të jetë kurrë
president i Prishtinës.

Duke folur për mediat lokale, Nikoliç ka theksuar se duhet të shihet se deri në çfarë pike mund të arrijë Serbia në Kosovë.

“Unë mendoj se nuk do të jem kurrë president në Prishtinë, ashtu sikurse presidenti i autoriteteve të përkohshme në Prishtinë nuk do të jetë kurrë president në Mitrovicë”, ka deklaruar Nikoliç.

Ai është shprehur se, është e nevojshme që të arrihet një konsensus për “atë se çfarë është Kosova” dhe për mënyrën se si duhet të sillet shteti serb ndaj saj.

“Gjithashtu, duhet të qartësohet çështja e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, enklavat ku jetojnë serbët, katër komunat në veri, si dhe përfaqësimi në takimet ndërkombëtare”, ka thënë Nikoliç, i cituar nga “REL”.

Ai ka shtuar më tej se nuk pret që nga Bashkimi Evropian, Serbisë t’i vijnë kushte të reja për Kosovën, pas asaj për krijimin e marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë.

“Më shumë se kaq nuk mund të na japin. Të tjerat janë dëshirë e atyre që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që duan që ajo të jetë e plotë. Por këtë Serbia nuk do ta pranojë kurrë”, ka shtuar Nikoliç.

Më herët gjatë muajit presidenti serb shprehu disa herë gatishmërinë e tij për t’u takuar me autoritetet kosovare, me përjashtim të kryeministrit Hashim Thaçi, të cilin ai e akuzon për krime ndaj popullsisë serbe.

Një ditë më parë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u shpreh e gatshme të takohej me homologun serb, por vetëm si përfaqësues të dy shteteve të pavarura.

Top Channel