Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Sekretariatin e Kuvëndit dy projekt/ligje për disa ndryshime të Kushtetutës, që lidhen me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë përfshi edhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
Hartuesit e këtyre ndryshimeve në emër të LSI-s kërkojnë që në nenin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit të thuhet: Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj tjetër përgjegjësie ligjore për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrim të detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
Në lidhje me imunitetin që gëzojnë gjyqtarët LSI propozon që Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht sipas procedurave të parashikuara me ligj, ndërsa gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht sipas rregullave të parashikuara me ligj.
Krahas ndryshimeve kushtetuese për imunitetin e zyrtarëve të lartë LSI ka dorëzuar edhe një projekt/ligj të vecantë duke kërkuar disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për ato nene që lidhen me rastet kur një deputet është nën hetim dhe më pas arrestohet.
Në nenet 1, 2 dhe 3 LSI propozon: Ndjeka penale është faza e procedimit penal që zhvillohet në ngarkim të të pandehurit nga momenti i ngritjes së akuzës e deri në gjykimin përfundimtar. Arresti me burg, mund të vendoset për deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, titullarët e institucioneve kushtetuese, të cilët nuk gëzojnë imunitet ndaj arrestimit, vetëm kur masat e tjera të sigurisë nuk vlerësohen si të efektshme. Kjo masë nuk zbatohet për Presidentin, deputetët dhe Kryeministrin. Për zyrtarët e tjerë, ministrat dhe të titullarët e tjerë të insitucioneve kushtetuese të emëruar nga Kuvendi, kjo masë vendoset përgjatë gjithë kohës së ushtrimit të ndjekjes penale si dhe për akuza që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrës .
Ndërsa në nenin katërt të këtij projekt/ligji LSI kërkon këto ndryshime: Për personat të cilët sipas Kushtetutës gëzojnë imunitet, organi procedues lejohet të kryejë veprime hetimore paraprake sipas kritereve të parashikuara në këtë Kod. Marrja e autorizimit për procedimin penal lejohet, ngritja e akuzës dhe në vijim të gjitha veprimet e tjera hetimore të parashikuara në këtë Kod. Veprimet hetimore kryhen sipas parimit të konfidencialitetit. Prokurori mban përgjegjësi ligjore për shkeljen e këtij parimi. Veprimet hetimore për zyrtarët e tjerë të zgjedhur ose të emëruar kryhen rregullisht sipas kritereve të parashikuara në këtë Kod dhe duke garantuar parimin e konfidencialitetit.
Top Channel