Ibra&Thiago Silva lojtarë të PSG-së

13/07/2012 00:00

Gjithcka është thuajse e mbyllur, Thiago Silva dhe Zlatan Ibrahimovic sezonin e ardhshëm do të jenë lojtarë të skuadrës franceze, PSG.

Mediat italiane flasin për një marrëveshje të arritur mes të trija palëve, Milan-PSG-lojtarë. Tashmë mbetet për t’u marrë vetëm me detajet të vogla të kontratave përkatëse. Sipas të njëjtave burime, Ibra është rrugës për në Paris ku do t’u nënshtrohet testeve mjekësore. Kjo konfirmohet edhe nga lëvizja e mjekut të nënkampionëve francezë që ka lënë Austrinë (ku skuadra po kryen përgatitjet për sezonin e ri) dhe është nisur drejt Parc de Prince.

Agjenti i Ibrahimovic, Mino Raiola kërkon nga skuadra e sheikëve arabë që klienti i tij të paguhet “ashtu si i takon”, numri 1. Railo tha se në “pjatë” për shtatlartin suedez është një kontratë 3-vjeçare prej 12 milion eurosh në sezon (po aq sa tek Milani, vetëm se kontrata ishte 2-vjeçare).

Për Thiago Silva-n ndërkohë mbeten në fuqi detajet e ofertës së mëparëshme të PSG-së; 7.5 milion euro në sezon, ndërsa në arkën e Milanit pritet të derdhen 62 milion euro.

Edhe pse akoma s’është zyrtare, shitja e dy futbollistëve është tashmë një fakt. Ka qenë vetë Berlusconi ai që e ka deklaruar këtë. Presidenti i Milanit ka gjetur një mjedis politik për të folur për futbollin dhe Milanin. Kavaljeri tha gjatë një mbledhje të partisë që udhëheq (PDL) se kishte vendosur të shesë Ibra-n dhe Thiago Silva-n.

“Po! Do të shes Ibrahimovic dhe Thiago Silva-n. Në këto momente na duhen para dhe tifozët duhet të na kuptojnë. Ata që nuk e kuptojnë këtë le të gjejnë një president tjetër që ka investuar kaq sa unë tek Milani”, tha Berlusconi.

Ndërkohë, në Milano grupet e tifozëve kuqezinj kanë shprehur pakënaqësitë e para. “Atëherë është më mirë të shesim gjithcka. Po shkatërrohet Milani, apo Çfarë dreqin keni në mendje?!”, ishin disa nga parrullat e tifozëve milanistë në rrugët e Milanos dhe qendrën stërvitore të kuqezinjve.

Top Channel