Berisha: Hetim parlamentar për Imamin

14/07/2012 00:00

Për shkak të aktualitetit akuzat e opozitës ndaj ministrit të Mbrojtjes,
Arben Imami, zunë vendin e parë në serinë e pyetjeve të shumta që
kryeministri Sali Berisha mori gjatë takimit me gazetarët.

I gatshëm për të pranuar ngritjen e një Komisioni Hetimor nga opozita, Kryeministri bëri pergjegjes kryetarin e Partise Socialiste Edi Rama se po tenton, sipas tij, që nepermjet shpifjeve, te demtoje imazhin e Shqipërisë.

“Ata e dinë që nuk ka trafik dhe kjo nuk ju intereson, ju intereson shpifja. Ata e dinë që nuk ekziston në mënyrën kategorike absolute asnjë praktikë e tillë, por kjo nuk ka rëndësi për ta. Përsa i përket regjistrimit, më duhet t’u them që kjo është një sindromë e tmerrshme obsesive i Edi Ramës, i cili rrotullon kolltuqet në zyrë kur shkon”, tha Berisha.

Nderkohe ne axhenden e politikes mbetet i paplotesuar rekomandimi i Brukselit që Shqipëria të heqë imunitetet e politikaneve dhe gjyqtareve. Kryeministri e ftoi zotin Rama të mbështese tani nismën e mazhorancës për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit, duke mos nxjerre justifikime.

“Së pari mazhoranca ka pranuar tërësisht variantin e opozitës. Por ai pendohet për çdo veprim që bën. Unë nuk pendohem. Kur del gabim, mbaj përgjegjësi.Ai flet për ‘Këshillin e Miliarderëve’ në qeverinë time…po përse i mban me imunitet këta në qeverinë time? Si mund t’u shpjegosh socialistëve se po ‘mbaj qeverinë me imunitet’?”, tha Berisha.

Persa i perket pakenaqesise se partive te vogla, perfshire edhe aletatet e tij, pse reforma zgjedhore nuk shqyrtoi korrektimin e sistemit, kryeministri u shfaq i qete për marrëdheniet në të ardhmen me aleatët, duke deklaruar se në zgjedhjet e 2013-ës do të hyjë sërish me një koalicion të madh.  

Sipas kryeministrit Ligji Elektoral nuk është baza për fitoren e zgjedhjeve.  Dhe ketu ai kishte një mesazh për kreun e opozitës, i cili është shprehur i kënaqur me garancitë ligjore që ndryshimet i japin Partisë Socialiste.

“E garantoj që edhe ligji tjetër i 2016-17 prapë do t’i bëhet çdo ndryshim që ka nevojë Rama. Besoj tërësisht se nuk është ligji që të jep fitoren, janë qytetarët shqiptarë, janë zgjedhësit, janë votuesit. Pra zoti Rama beson se fiton nëpërmjet ligjit”, tha Berisha.

Nga zgjedhjet e ardhshme kane mbetur me pak se 10 muaj dhe kryeministri thote se po punon per mandatin e trete. Duke mos pranuar se ka shfaqur shenja lodhjeje ne qeverisje, kryeministri deklaroi se do te pranoje rezultatin e zgjedhjeve, cilido qofte ai. 

PS: Berisha bllokoi kontrollin

Partia Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se po bllokon kontrollin parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes për shkak të përfshirjes së tij të plotë në aktivitetet e paligjshme, nga përgjimi i opozitës e deri tek trafiku i armëve.

“Berisha gënjen për bllokimin e kontrollit, duke dëshmuar se është vetë i përfshirë në skandalin që i rrezikon karriken. Qoftë për blerjen e pajisjeve me të cilat përgjon opozitën dhe diplomatët e huaj, qoftë për trafikun e armëve, afera nga të cilat ai dhe i biri nuk hoqën dorë edhe pas vrasjes së 26 personave”, deklaroi Balla.

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, proçedurat për kontrrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes kanë filluar 5 muaj më parë me depozitimin e një kërkese në komisionin përkatës në Kuvendin e Shqipërisë.

“Kjo kërkesë ka marrë miratimin e këtij komisioni më 18 maj, me miratimin e ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Bujar Nishani dhe atij të Mbrojtjes, Imamit. Më 6 qershor, deputeti demokrat Leonard Demi i ka nisur ministrisë vendimin që autorizon kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes”, nënvizoi Balla.

Zoti Balla ka pohuar ekzistencën e një sërë kërkesash të tjera, më e fundit e të cilave sipas tij, ajo e pak ditëve më parë, kur kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi ka parashtruar edhe çështjet e nënçështjet që kërkojnë kontrroll parlamentar.

E drejte kjo që sipas socialistit garantohet nga Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, zoti Balla ka bërë publik edhe një element tjetër që përbën për PS një skandal të ri të Kuvendit.

“Ka më shumë se 1 vit që në sirtaret e Jozefinës mbahet peng një ligj i përgatitur nga ekspertë britanikë, për mbikëqyrjen parlamentare të institucioneve të inteligjencës. Berisha të sqarojë përse ai dhe Topalli mbajnë peng këtë projektligj që përbën një domosdoshmëri edhe në kuadër të angazhimeve që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s”, shtoi Balla.

Kuvendi: Asnjë kërkesë nga PS

Ndërkohë, pas deklaratave të deputetit socialist Taulant Balla, se mazhoranca ka bllokuar kontrollin parlamentar të Ministrisë së Mbrojtjes, ka ardhur edhe reagimi i Kuvendit.

Në një deklaratë zyrtare për shtyp thuhet se, Partia Socialiste nuk ka paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për të ngritur komision hetimor.

Top Channel