Izraelitët, të irrituar me organizatorët e Londër 2012

07/08/2012 18:30

Vejusha e një atleti izraelit të vrarë në masakrën e Lojrave Olimpike të Mynih 1972-shit kritikoi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për vendimin e tij të mosmbajtjes së një minute heshtje në ceremoninë hapëse të Londër 2012-s.

“Një turp i vërtetë”, e konsideroi Ankie Spitzer këtë vendim, që sipas saj fyen 11 atletët e vrarë nga një komando terroriste palestineze, brenda fshatit olimpik në Mynih.

Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge dhe kryetari i Komitetit Organizativ të Londrës, Sebastian Coe, argumentuan se mbajtja e një minute heshtje në hapje të Lojrave nuk përshtatej me “frymën” e ceremonisë.

“Ky është një turp i vërtetë për KON-in, pasi harroi 11 anëtarë të familjes olimpike. Ata u vranë në tokën “olimpike” dhe ceremonia hapëse ishte momenti më i përshtatshëm për t’i përkujtuar”, deklaroi e veja.

“Thirrja jonë u dëgjua nga e gjithë botë, por vetëm Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e bëri veshin të shurdërt e sytë qorr”, shtoi Spitzer.

Andre Spitzer, një mjeshtër i skermës, ishte një prej viktimave të atij sulmi tragjik, i cili kishte si synim të bënte të njohur çështjen palestineze në të gjithë botën.

Top Channel