Kur kanë kaluar pak më shumë se dy javë nga marrja e detyrës, presidenti Bujar Nishani ka marrë vendimin e parë të rëndësishëm, duke shkarkuar drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri.

Ky vendim i presidentit Nishani do të thotë se është marrë në harmoni të plotë me kryeministrin Sali Berisha, pasi është kreu i qeverisë ai që propozon shkarkimin nga detyra të shefit të shërbimeve sekrete.

Presidenti ka dekretuar edhe drejtorin e ri të SHISH-it. Ai është Visho Ajazi Lika, aktualisht zëvendësministër për Teknologjinë e Informacionit.

Drejtori i ri i SHISH-it, i cili ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe është ekspert me përvojë të gjatë në fushën e teknologjisë se informacionit, ka mbaruar që në vitin 91 doktoraturën në Shkenca Kompjuterike, kohë kur në Shqipëri kompjuterët numëroheshin me gishtat e një dore.

Kjo duket se ka qenë arsyeja që Visho Ajazi është një nga pak personat që ka drejtuar projektin për informatizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1993.

Përveç eksperiencës ndërkombëtare, ku shquhet për programim sistemesh kompjuterike, drejtori i ri i shërbimeve sekrete ka punuar në Ministrinë e Jashtme gjatë kohës që Sali Berisha ishte president i vendit.

Çka do të thotë se mes të dyve ka njohje dhe bashkëpunim të vjetër, natyrisht edhe të konsoliduar, përderisa drejtori i ri i SHISH-it është kthyer si pjesë e qeverisë Berisha në postin e zëvendësministrit.

Ajo që e bën të rëndësishëm këtë dekretim të presidentit Nishani nuk është vetëm emri i ri i shefit të shërbimeve sekrete, por edhe drejtori i shkarkuar Bahri Shaqiri.

Me zotin Shaqiri, kryeministri Berisha ka patur që në fillim një mungesë marrëdhëniesh, duke treguar hapur mungesën e preferencës për Bahri Shaqirin, i cili ka patur mbështetje publike dhe jo publike nga partnerët ndërkombëtare, kryesisht nga ambasada amerikane, që është dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj për konsolidimin e shërbimit inteligjent në Shqipëri.

SHBA: Të befasuar nga vendimi

Për këtë arsye, nga ambasada amerikane kanë ardhur edhe reagimet e para për vendimin e presidentit Nishani për të shkarkuar kreun e shërbimit sekret Bahri Shaqiri.

Një vendim që duket se ka zënë në befasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një burim zyrtar i nivelit të lartë në ambasadën amerikane tregoi për Top Channel se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vënë në dijeni më parë dhe nuk janë informuar zyrtarisht për shkarkimin e zotit Shaqiri”.

Burimi në fjalë u shpreh gjithashtu se: “Shtetet e Bashkuara janë të befasuara nga ky vendim kaq i shpejtë dhe i papritur, duke patur paqartësi për kohën dhe arsyet që kanë çuar në shkarkimin e Bahri Shaqirit”.

Më herët, në telegramet e urimit dërguar pas zgjedhjes në detyrë, i gjithë faktori ndërkombëtar, përfshirë edhe sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, kanë nënvizuar rëndësinë e rolit të presidentit të ri në ruajtjen e pavarësisë së institucioneve, duke nënkuptuar sistemin e drejtësisë, gjyqësorin dhe prokurorinë, por edhe pavarësinë e shërbimit sekret.

Rama: Shërbëtori i Saliut në krye të SHISH

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe emërimin në vend të tij të Visho Likajt.

“Ky vendim i presidentit është akti më ekzemplar i varësisë së tij nga kryeministri dhe do të sjellë pasoja negative për jetën politike e institucionale”, shkruan Rama në rjetin social Twitter.

Sipas liderit të opozitës, ky vendim është i turpshëm, pasi rrënoi pavarësinë e SHISH, sepse kryeministri e bëri këtë ndryshim pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sepse ktheu kohën pas.

“Për llogari të kryeministrit, presidenti zëvendësoi drejtorin e shërbimit sekret me një shërbëtor të Saliut njësoj siç është dhe vetë. Çfarë turpi!”, shkruan Rama.

PS: Nishani konfirmoi dyshimet tona

Deputeti i PS, Besnik Bare ka reaguar pasditen e së enjtes lidhur me shkarkimin nga presidenti të drejtorit të SHISH, me kërkesë të kryeministrit Berisha.

Në një deklaratë për shtyp nga selia e PS, Bare ka theksuar se vendimi i Nishanit konfirmoi shqetësimet e opozitës se ai do të ishte një noter i mazhorancës qeverisëse.

“Vendimi i sotëm i presidentit, për t’iu bindur urdhërit të Berishës për të shkarkuar zotin Shaqiri dhe për të emëruar një shërbëtor të pushtetit, është sheumbulli se opozita ka pasur të drejtë në qëndrimet e saj”, ka deklaruar Bare.

Sipas tij, ky vendim tregoi gjithashtu se opozita ka pasur të drejtë kur thoshte se veç kufizimit të imunitetit, të votohet edhe për një sistem drejtësie të pavarur.

“Jo vetëm që presidenti u zgjodh në mënyrë të njëanshme, por sot Nishani vërtetoi të gjitha dyshimet e opozitës për të. Opozita dyshonte se ai do të ishte shërbëtor i Saliut, gjë që u vërtetua sot”, ka theksuar Bare.

Ai ka nënvizuar se një tjetër tregues i rëndë është fakti se Nishani shkarkoi Shaqirin në një kohë kur për dy vjet me radhë partnerët strategjikë të Shqipërisë janë shprehur kundër kthimit të institucioneve nën kontrollin e qeverisë.

“Sot më shumë se kurrë duhet një rilindje shqiptare, që institucionet t’u kthehen qytetarëve, që Shqipëria dhe shqiptarët të shpëtojnë nga Berisha dhe familja e tij, që në 7 vjet kanë vjedhur më shumë se ç’është vjedhur në historinë e shtetit shqiptar”, ka shtuar Bare.

FRD: Berisha po uzurpon institucionet

Fryma e Re Demokratike reagon për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri.

“Kryeministri Berisha po uzurpon të gjitha institucionet kushtetutese. Shqiperia po i largohet BE-se dhe standardeve te NATO-s dhe po shkon drejt modelit ‘Lukashenko’. Kembanat e alarmit po bien per qytetaret shqiptare dhe faktorin nderkombetar”, thuhet në reagim.

Aleanca Kuqezi: Berisha pushtoi çdo institucion

Ndërsa Aleanca Kuqezi ka vlerësuar se kryeministri Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion dhe po kthen periudhën e errët të vitit 1996.

“Shqipëria nuk ka më institucione, por seksione të PD-së. Shërbimi Informativ Shtetëror po vendoset në shërbim të partisë, pasi emërimi i kreut të SHISH-it u bë mbi kritere politike”, deklaron Aleanca Kuqezi.

Sipas saj, Berisha do të nisë gjuetinë e përgjimeve dhe ndjekjeve dhe radhën tashmë e ka prokuroria dhe gjyqësori, të cilat kjo parti i konsideron “një hap larg pengmarrjes”.

Aleanca Kuqezi i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të rikonsiderojë marrëdhëniet me kryeministrin Berisha, pasi sipas saj, “ai është i gatshëm të cënojë edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së vetëm për të arritur qëllimet e tij të errëta”.

Kush është Visho Lika?

Visho Lika është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega matematikë (1976-1981).  Në vitin 1991 ai mbrojti doktoraturën në shkenca kompjuterike dhe në periudhën mars-korrik 1993 dhe një studim post doktoraturë në Universitetin Politeknik të Barcelonës.

Ndërkohë që në periudhën maj 1993- qershor 1997, mbante postin e diplomatit dhe të drejtorit në Ministrinë e Jashtme.(ne kohen e presidences se Berishes)

Që nga dhjetori i vitit 2009 deri më tani ai mbante detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, e drejtuar nga Genc Pollo.



 

Top Channel