Hysi: Në referendum paketa e PS

09/08/2012 00:00

“Berisha harron se të çosh një çështje për referendum, kur bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese, duhet të vendosë Kuvendi, me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve”.

Me ketë fjali të deputetes Vasilika Hysi, cituar nga neni 177 i Kushtetutës, Partia Socialiste ka interpretuar pamundesinë, sipas saj, që nisma e kryeministrit Berisha për heqjen e imuniteteve të bëhet nëpërmjet referendumit të përgjithshëm.

Në interpretimin e Partisë Socialiste, që i referohet edhe ligjit përkatës, një referendum kushtetues mund të kalojë vetëm nëse për këtë ekziston vullneti i 2/3-ave të deputetëve.

Ose nëse ekziston kundërshtimi i 1/5 së deputetëve për një amendament kushtetues, pasi ky të ketë marrë më parë miratimin e 2/3-ve të deputetëve. Varianti i dytë nuk mund të zbatohet përderisa ligji për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imuniteteve nuk është votuar.

Opsioni që mbështet Partia Socialiste është që Parlamenti të vendosë me 2/3 e tij për të shkuar në referendum, por Partia Socialiste thotë se këtë votë e jep nëse kryeministri Berisha pranon që bashkë me kufizimin e imunitetit të përfshihet si pjesë e referendumit edhe paketa e opozitës për ndryshime të tjera kushtetuese.

“Ndryshimi i Kushtetutës për imunitetin nuk mjafton për të luftuar korrupsionin. Ajo që ka rëndësi është edhe reforma në drejtësi. Ndërsa PS kërkon reformë të plotë të drejtësisë, PD e kundërshton me forcë. Nëse vazhdon të këmbëngulë se nuk ka nevojë për reformë në drejtësi dhe për pavarësi të sistemit gjyqësor, atëherë le të vendosim në Kuvend me votë për të shkuar në referendum popullor. Dhe për drejtësinë të vendosë vota popullore. Është për president të zgjedhur nga populli, apo për president të votuar nga partia në pushtet, për një prokuror të zgjedhur me shumicën e cilësuar të Kuvendit, apo për një prokuror të partisë në pushtet, me gjykatës të zgjedhur me 3/5 apo të imponuar nga partia? Le ta pyesim popullin dhe të shohim si do të përgjigjet për këto çështje”, theksoi Hysi.

Me interpretimin që Partia Socialiste i bën Kushtetutës, duke e cilësuar të pamundur një referendum për rishikimin e Kushtetutës pa u vendosur më parë me votat e 2/3-ve të Parlamentit, kërkesa e saj për të çuar në referendum edhe paketën kushtetuese për ndryshime të tjera nuk mund të realizohet pa marrë më parë konsensusin me votë të demokratëve.

Që do të thotë se çdo referendum për ndryshimin e Kushtetutës nuk varet nga nisma e 50 mijë qytetarëve dhe as nga 1/5 e deputetëve, nëse më parë dy partitë e mëdha nuk janë shprehur me 94 vota pro në Parlament.

Top Channel