Klosi: Shkarkimi i Shaqirit, shqetësues

09/08/2012 18:35

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ka deklaruar se shkarkimi i kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, nga presidenti i Republikës është shumë shqetësues.

Në një intervistë telefonike për VOA, Klosi ka komentuar edhe zgjedhjen e drejtorit të ri të shërbimeve sekrete, zgjedhje që sipas tij është bazuar në eksperiencën e kaluar të Visho Ajaz Likës.

“Unë e quaj të ngutur deklaratën e kryeministrit që thoshte se do ta hiqte kreun e SHISH dhe tani e hoqi. Këtu ka vend për një shqetësim të madh”, ka deklaruar Klosi.

“Eksperienca e drejtorit të sotëm në SHIK-un e Gazidedes është një nga parametrat që ka shërbyer për ta zgjedhur. Prandaj them se është për t’u shqetësuar. Ai dhe Berisha mund të bëjnë gjëra të frikshme”, ka vijuar ai.

Ish-shefi i shërbimeve të inteligjencës vlerëson se fakti që Lika ka punuar në SHIK-un që sipas tij u anatemua me zgjedhjet e vitit 1996 e komplikon tej mase situatën.

“Unë nuk bëj paragjykime, por shoh eksperiencën që ai ka kaluar. Atëherë SHIK-u ishte anatemuar pas zgjedhjeve të 96-ës. Është një eksperiencë që nuk duhet ta harrojmë”, ka nënvizuar Klosi.

Më tej ai e ka cilësuar si të rëndë faktin se kryeministri Berisha ka shpërfilluar apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, për pavarësi të shërbimeve sekrete. Sipas tij, sot me shumë se kurrë Shqipëria duhet të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë.

“Sot jemi anëtarë të NATO-s dhe konsolidimi me partnerët duhet të ishte i nevojshëm. Më duket se kjo ngutje e bërë në këtë periudhë vere tregon që ata mund të mos ndërhyjnë dot më”, ka theksuar Klosi.

“Kjo ngjarje nuk është e mirë, sepse jemi në pozita të tjera. Them se duhet të jemi më seriozë”, ka shtuar më tej ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar.

Top Channel