Pse është keq të barazosh opozitën me pushtetin

10/08/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Rreth 8 vjet qeverisje haptazi të korruptuar të
qeverisë “Berisha” kanë nisur të dalin gjithnjë e më shumë zëra që
pretendojnë se opozita është po aq e keqe sa pushteti.

Sinteza vulgare e këtij identiteti artificial, është vendosja e barazimit mes liderëve të dy kampeve kundërshtare: Berisha është i keq, por edhe Rama është po aq i keq në mos edhe më i keq! Njerëzit që e thonë këtë janë të kategorive të ndryshme, të djathtë, të majtë, të pasur, të varfër pra, të motivuar nga interesa e perceptime të ndryshme. Megjithatë, nuk është e vështirë të kuptohet se ai që përfiton nga një i tillë konkluzion është vetëm pushteti. Dhe personalisht, Berisha në qëllimin e tij për t’u përjetësuar në pushtet. Sepse nëse opozita është po aq e keqe, madje në mos më e keqe se pushteti a qeveria, atëherë përse duhet që të ndërrohet pushteti dhe qeveria? Barazimi në faj i opozitës me pushtetin bëhet kështu një lajtmotiv që i kundërvihet dinakërisht nevojës që ka Shqipëria (një vend me tradita të forta pushtetesh shtypëse dhe liderësh që largohen nga froni vetëm kur vdesin) për rotacion politik sa më të shpeshtë.

***

Barazimi në faj i opozitës me qeverinë nuk përbën problem për sa kohë është rrjedhojë e perceptimeve të rëndomta të disa shtresave apo individëve. Por nuk mund të mos shqetësohesh kur shikon se ky identitet i sforcuar, nis e zë vend edhe në analizat më të kualifikuara që u bëhen zhvillimeve politike në Shqipëri. Rasti më i fundit tipik ishte ai i Fatos Lubonjës në një intervistë dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës”. Është një intervistë ku mes disa përfundimeve të sakta dhe të qarta për zhvillimet në Shqipëri, nuk mund të mos shquash një tendencë për t’ia veshur me zor opozitës këmishën e fajit apo të bashkëfajësisë me qeverinë. Lubonja pohon se “klasa politike gjatë këtyre 20 vjetëve dhe mazhoranca gjatë këtyre 8 vjetëve në pushtet nuk kanë rrëfyer ndonjë vullnet për të luftuar korrupsionin. Përkundrazi, ata janë protagonistët kryesorë të korrupsionit në Shqipëri”. Dhe nuk mund të mos pyesësh: Përse kur është koha për t’u ndalur te fakti evident që Sali Berisha, i cili erdhi në pushtet me premtimin për luftën kundër korrupsionit, jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin e akumuluar nga qeveritë socialiste, por shtoi një korrupsion edhe më të madh në kurriz të Shqipërisë, analiza shtrihet edhe në përgjegjësinë e klasës politike të këtyre 20 viteve?  Kuptohet pa vështirësi se përfshirja e “klasës politike të 20 vjetëve” në ligjërim, është bërë me qëllim që të arrihet te përemri “Ata”. Ata të gjithë janë përgjegjës për korrupsionin e lartë në vend. Po kush ata? Edhe qeveria edhe opozita, edhe Berisha edhe Rama. Gjë që nuk mund të mos jetë e padrejtë dhe aspak kuruese. Sepse që qeveritë socialiste ishin të korruptuara kjo dihet. Sali Berisha erdhi në pushtet duke nëmur korrupsionin e socialistëve dhe Fatos Nanos. Por sot, pas 8 vjetësh, është e padrejtë t’i kërkosh opozitës së sotme socialiste llogari për korrupsionin e pushtetit të saj të djeshëm, Edi Ramës për korrupsionin e qeverive të Fatos Nanos apo Ilir Metës. Është njësoj sikur David Kameronit t’i kërkosh llogari për korrupsionin e qeverisjes së Margaret Theçerit apo Kryeministrit Holand, t’i kërkosh llogari për korrupsionin Zhospenit! Aq më keq dhe më e padrejtë është që duke nëmur korrupsionin e qeverive tashmë të vdekura të socialistëve, t’i japësh përsëri shans Sali Berishës të mbajë gjallë edhe për disa vjet të tjera një qeveri edhe më të korruptuar. Pse? Sepse meqenëse qenkan njësoj, edhe një qeveri socialiste nesër nuk do ta luftojë korrupsionin ashtu sikundër nuk e luftoi Berisha. Na duket se e drejta na detyron të arsyetojmë disi ndryshe. Lufta për ndëshkimin e korrupsionit të qeverive të Nanos apo Metës ishte detyrë dhe premtim i Sali Berishës. Dhe nëse ai nuk e luftoi, sikundër premtoi, qëllimisht korrupsionin rozë socialist për t’ i hapur rrugë korrupsionit blu të “demokratëve”, nuk është normale që Sali Berisha të avantazhohet duke e paraqitur korrupsionin e vjetër të Fatos Nanos si korrupsion që ka kaluar në pronësi të Edi Ramës vetëm për faktin që ai drejton sot të njëjtën parti që drejtonte dje Fatos Nano. Korrupsioni i Fatos Nanos i shërbeu Berishës për t’u rikthyer në pushtet, por do ishte absurditet që ai të vazhdonte të qëndronte në pushtet edhe 4 vjet të tjera pas 8 vjetësh qeverisje, përsëri me premtimin se do luftojë korrupsionin e qeverive të Fatos Nanos.

***

Lubonja nuk gabon kur pohon se Shqipëria ka nevojë urgjente të vendosë shtetin e të drejtës, ose sundimin e ligjit. Nuk gabon kur pohon se “Kërkesa e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën në funksion të një drejtësie sa më të pavarur, pra, për një prokuror me 3/5 dhe KLD me 3/5 mendoj se është pozitive në këtë kuadër”. Por më pas nxjerr përsëri kokën tendenca për të bashkëfajësuar opozitën me pushtetin. Dhe ja sesi: “Mazhoranca mund ta bënte këtë lëshim nëse do vërtet, por kam frikë se të dy palët punojnë me skemën se si t’ia hedhin tjetrit pastaj. Mazhoranca fare mirë mund t’i miratojë këto kërkesa me 3/5, të heqim imunitetin dhe të hyjmë në BE. Mendimi im është që opozita e bën këtë kërkesë për ta shtyrë edhe ca kohë këtë temë për të parë si do të bëhet situata, sepse ndihet e pasigurt. Nga ana tjetër mazhoranca ka frikë se opozita me 3/5 kërkon të bllokojë dhe do të sjellë bllokime të reja si më parë”, thotë Lubonja. E kemi vështirë ta kuptojmë logjikën e këtij ligjërimi dhe aq më tepër se ku është faji i opozitës. Opozita ka bërë disa kërkesa të drejta që po të merreshin parasysh do ndihmonin në pavarësinë e gjyqësorit. Prandaj mazhoranca duhet t’i miratonte nëse vërtet donte të luftonte korrupsionin dhe të vendoste shtetin ligjor, premisa këto për integrim me BE. Ajo nuk e bën këtë dhe prandaj është fajtore. Po faji i opozitës ku është? Mos që ka bërë këto kërkesa të drejta? Jo, faji i opozitës na qenkësha se ajo “e bën këtë kërkesë për ta shtyrë edhe ca kohë këtë temë për të parë si do bëhet situata, sepse ndihet e pasigurt”. Me demek opozita ka bërë disa kërkesa të drejta, por me dinakërinë “për ta shtyrë edhe ca kohë këtë temë”. Po ku e di opozita se mund “ta shtyjë edhe ca kohë”? Garanci për këtë është vullneti i mazhorancës për të mos luftuar korrupsionin. Pra, opozita qenka fajtore, sepse ka bërë disa kërkesa të drejta e bindur se mazhoranca nuk do t’i miratojë. Çfarë dinakërie e stërholluar qenka kjo e opozitës! Ndërkaq, Lubonja nuk mënon t’i japë edhe mazhorancës një farë të drejte në mosmiratimin e kërkesave të drejta të opozitës sepse, sipas tij, mazhoranca mund ta bënte këtë lëshim, por “ka frikë se opozita me 3/5 kërkon të bllokojë dhe do sjellë bllokime të reja si më parë”. Po si ka mundësi që disa kërkesa të drejta të çojnë në bllokim? Nuk ka asnjë mundësi. Është e qartë se në bllokim nuk të çon kërkesa e drejtë e opozitës për zgjedhjen e gjykatësve apo kryeprokurorit me 3/5-tat, por frika e mazhorancës berishiste nga krijimi i pushtetit të pavarur të drejtësisë. Një pushtet që do hetonte jo vetëm korrupsionin e vjetër socialist, por edhe megakorrupsionin e ri “demokrat”.

***

Në përfundim duhet thënë se opozita dhe pushteti nuk janë asnjëherë njësoj. Mund të ndodhë edhe që një opozitë të jetë më e keqe se pushteti. Atëherë ajo nuk vjen në pushtet. Kur pushteti është më i keq se opozita, ndodh rotacioni. Natyrisht aty ku ka zgjedhje të lira e të ndershme. Por të thuash se opozita dhe pushteti janë njësoj është manipulative. Aq më tepër kur bëhet fjalë për korrupsionin. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë kur ajo që po akuzohet për korrupsion është opozita, ndërsa qeveria që nuk mund të mos jetë burimi kryesor i korrupsionit nga që menaxhon paratë e publikut, një pushtet i superkorruptuar me skandale deri edhe njerivrasëse, tenton të rrëmbejë flamurin e antikorrupsionit. Një taktikë mashtruese që s’është çudi të përfundojë me sukses edhe për një qeveri të kalbur si kjo e Berishës, nëse vazhdojmë t’i themi vetes dhe të tjerëve se opozita dhe qeveria, Rama dhe Berisha janë njësoj.

Gazeta “Shqip”

Top Channel