Partia Demokratike thotë se refuzimi i Partisë Socialiste për të votuar kufizimin e imunitetit dhe përpjekjet e opozitës për të bllokuar thirrjen e referendumit ka në themel fshehjen nëpërmjet imunitetit të pasurive të paligjshme të një grupi që e quan “klubi i miliarderëve të Partisë Socialiste”.

“Nga  të dhënat e ILDKP-së rezulton se vetëm njërit prej antarëve të klubit të miliarderëve dhe konkretisht Fidelit të Partisë, i kishin dhuruar ndër të tjera, tre apartamente në qendër të Tiranes me vlerë rreth një milion euro, apo vetëm nga dividenti i një klubi ku është aksioner me të tjerë, Ylli i miliarderëve të Partisë Socialiste ka përfituar gjysmë milion euro”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

“Ne dhamë këto dy shembuj për të faktuar se si miliarderët në krye të Partisë Socialiste maskojnë pasuritë e tyre të paligjshme, duke deklaruar një milion euro si dhuratë e miqve të tyre “bujarë”, që falin tre apartamente në qendër të Tiranës sikur të ishin tre kravata”, nënvizoi ajo.

Partia Demokratike hodhi poshtë gjithashtu edhe argumentin e Partisë Socialiste, se për të shkuar në një referendum kushtetues duhet marrë më parë miratimi i 2/3 të votave të Parlamentit.

“Partia Demokratike i thotë zotit Rama se e drejta për thirrjen e referendumit është e drejtë kushtetuese e qytetarëve, parlamentarëve dhe qeverisë së vendit, sanksionuar në nenin 150 të Kushtetutës së vendit. Çdo përpjekje për bllokimin e saj është e dështuar dhe do t’iu rikujtojë qytetarëve betejat e Don Kishotit me mullinjtë e erës”, vijoi zëdhënësja.

Top Channel