Shqipëria olimpike harron rrugën e kthimit

11/08/2012 00:00

Sporti ka qenë disa herë protagonist, ndërsa disa herë sportistët dhe të
tjera herë polemikat e dështimeve. Shqipëria olimpike bën pjesë vetëm
tek kjo e fundit, pasi në Londër 2012 nuk mundi të lërë asnjë shenjë,
përjashto disa rekordeve personale të ndonjë sportisti, por që janë
shumë pak po t’i krahasosh me objektivat për medalje.

Shqipëria, gjatë këtyre ditëve, zien nga polemikat, përplasjet mes palëve, të cilat e kanë kthyer fajin e dështimit në një top futbolli, që shkon sa këtej andej. E ndërsa pritet të bëhet një analizë e thellë dhe objektive për rezultatet zhgënjyese në Olimpiadë, edhe pse ekipi olimpik që përfaqësoi vendin në Londër 2012 e ka përfunduar prej ditësh misionin e tij në këto lojëra olimpike, ende nuk e ka marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri.

Gara e fundit e kuqezinjve ishte ajo e qitësit Arben Kuçana në 50 metra pistoletë. Por pas mbylljes së garave të kuqezinjve, nëntë sportistët shqiptarë dhe delegacioni që i shoqëron ata vazhdon të shijojë fshatin olimpik, ku është akomoduar që 7 ditë para hapjes së Lojërave Olimpike 2012, por edhe bukuritë e kryeqytetit britanik.

Në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) është mësuar se ekipi olimpik shqiptar do të zbarkojë në Tiranë vetëm më datën 14 gusht, vetëm dy ditë pas mbylljes së garave të Lojërave Olimpike, pasi një gjë e tillë është e parashikuar në axhendën olimpike. Kthimi i tyre do të bëhet në dy grupe të ndara, që do të udhëtojnë drejt vendlindjes. Xhudistja Majlinda Kelmendi e ka braktisur ekipin olimpik vetëm pak ditë pas konkurrimit dhe para një jave mbërriti në shtëpi (Kosovë). Menjëherë pas kthimit, pritet të mbahet analiza e shumëpërfolur për gjithçka që nuk shkoi mirë në Londër 2012 në këtë ekip, i cili duket se i mungoi shpirti olimpik. Një nga pikat më nevralgjike është ajo e dopingut të Hysen Pulakut, që ka prodhuar një sherr mes Federatës Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) dhe KOKSH-it. Kjo gjë ka krijuar një atmosferë negative për sportin, që herë pas here shfaqet kur ndodhin episode të tilla, edhe pse shqiptari nuk ishte i vetëm me doping në Olimpiadë. Ndërsa për sa u përket rezultateve, tabuja “medalje” për Shqipërinë do të vazhdojë deri në Lojërat Olimpike Rio 2016. Sportistët tani i provuan lotët e dështimit, por jo ato të fitores që të çon në Olimpin sportiv, që i dhuron një emocion unik një kombi të tërë, i cili i ka sytë te sportistët e tij. Por tashmë do të duhet të presim 14 gushtin për të bërë bilancin përfundimtar.

Top Channel