S’mund ta ndalim dot Berishën; është vonë tanimë

11/08/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Gjesti më i fundit i Berishës, ai i shkarkimit të
papritur të Bahri Shaqirit nga posti i kreut të SHISH-it dhe i emërimit
në vend të tij të Visho Ajazi Likës, ka tronditur gjithë mjedisin
politik, mediatik dhe atë diplomatik.

Në këtë vendim të Berishës të bëjnë përshtypje disa gjëra. Së pari, të bën përshtypje fakti që ai shkarkon një njeri “të blinduar me mbështetjen amerikane”, së dyti që emëron një shërbëtor të vetin të kohëve të vjetra, duke ringjallur fantazma të së shkuarës, së treti që ky vendim i marrë në një periudhë shtendosjeje ‘olimpike’ është menduar që të provokojë një jehonë minimale, e për rrjedhojë, reagime minimale, dhe së katërti që – këtë e kish nënvizuar Mentor Nazarko në një shkrim të vetin në “Panorama” – Berisha e komprometoi dhe e ndoti tërësisht e qysh në krye të herës Presidentin si një shërbëtor të tijin.

Por tronditja nuk vjen nga sa më sipër. Tronditja vjen ngaqë ky gjest po shihet menjëherë si një indikator i vullnetit të Berishës për të marrë nën kontroll, dhe sa më shpejt, të gjitha institucionet e vendit. Berisha ka bërë sa të duash gjeste të tilla, madje duhet thënë se ai ka bërë më së shumti gjeste të tilla, por shërbimet sekrete në Shqipëri kanë një konotacion e simbolikë tjetër. Eksperienca e fundit e ndyrë me shërbimet sekrete ka qenë ajo e periudhës 1992-1997, e njohur si kohë e sundimit Berisha-Gazidede. SHIK-u i komanduar nga ky i dyti dhe i vënë në funksion të të parit ka qenë një organizatë me rekorde deri dhe kriminale, dhe ja ku jemi në situatën kur në krye të SHISH-it vjen një vartës i Gazidedes. Tani mbetet të merret dhe prokuroria (është çështje javësh kjo gjë), dhe Berisha do të ketë në dorë të gjithë strukturat e mundshme, me anë të cilave ai mund të shpikë e ndëshkojë çdo krim të mundshëm të të tjerëve e mund të fshehë e mbulojë çdo krim që ka kryer e që ka ndërmend të kryejë vetë. Duke pasur dhe KLD-në në dorë, ai e shtrin kontrollin e tij edhe mbi gjykatat që deri dje në letër s’i kanë përkitur atij. KLD-ja nga njëra anë dhe klima e terrorit që provokon ideja e Berishës fuqiplotë do të jenë mjaft për ta asfiksuar ca më shumë sistemin e drejtësisë, që edhe pa këto ka qenë i asfiksuar, dhe lehtësisht i kontrollueshëm e shantazhueshëm, prej korrupsionit.

Tronditja pra është e kuptueshme, por ka në këtë mes një hipokrizi të madhe. Nuk është ky momenti për t’u tronditur, ashtu siç nuk ishte as momenti presidencial, nga i cili Berisha mori Presidentin më të mirë që donte. Dua të them se Berisha nuk mund të qortohet më shumë sesa duhet për këto dy momente që u kanë futur frikën shumë vetëve. Janë dy momente, në të cilat ai nuk ka shkelur asnjë ligj, ose që të jem më i saktë, ai ka vepruar në respekt të plotë të ligjit. Po, është e vërtetë, ka lënduar deontologjinë e institucioneve në fjalë, të Presidencës e të SHISH-it, pasi në krye të tyre ka vënë njerëz me frymëzime të qarta partizane në një kohë që këto institucione janë me përkufizim ‘jo partizane’, por ai ka gojë për t’na thënë: “Unë jam njeri që respektoj ligjet e vendit; ligjet mbi të gjitha”.

Shkurt, tani tronditja nuk ka asnjë kuptim. Berisha nuk mund të ndalet më. Ai mund të ndalej atëherë, kur vriste fare pa të keq njerëz në bulevard, kur refuzonte të zbatonte urdhrin e ndalimit nga ana e prokurorëve për gardistët vrasës, kur fliste për puç e për puçistë në tentativë për të përligjur vrasjet që bëri, kur ngrinte komisione parlamentare për të hetuar këtë puç fantomatik, kur i kanosej kreut të opozitës faqe botës me fjalët “provoje dhe njëherë dhe do të ndëshkoj ty personalisht si një bandit”, por atëherë kreu i opozitës nuk pati këllqe të mbronte atë që kish bërë, e nuk pati bythë të ngrinte një kauzë të madhe kundër një regjimi që më në fund u bë vrasës, atëherë Presidenti i Republikës u tërhoq e u struk pa bëzarë në qoshen presidenciale, kryeprokurorja u tulat nën presionin vulgar që iu bë, derisa s’e pati për gjë t’i çohej në këmbë e t’i jepet doçkën e saj atij që pak muaj më parë e kish quajtur faqe botës më shumë se njëherë “putanë bulevardi”, atëherë ca intelektualë publikë nënvizonin me gjysmë zëri faktin që u vranë katër vetë para Kryeministrisë, por po aty, për t’i bërë opinionet medemek të balancuara, i bënin jehonë një justifikimi ndyrësisht të çmendur të dalë nga gojë horrash të pushtetit, se “ka faj dhe ai që i çoi atje, para Kryeministrisë”, atëherë edhe ambasadori amerikan, i entuziazmuar nga fakti që Berisha anuloi “tubimin e tij të paqes”, dhe i zhgënjyer nga opozita që nuk po dëgjonte këshillën e tij për ta anuluar “tubimin e vet të luftës”, e shpalli Kryeministrin që vrau, apo që mori në mbrojtje vrasësit, si një burrë shteti.

E mbaj mend si tani një takim që kam pasur me këtë ambasador pas 21 janarit e pak javë para zgjedhjeve lokale. Dhe mbaj mend që, pas kësaj që ndodhi e në pritje të asaj që mund të ndodhte (ishte pragu i fushatës elektorale për zgjedhjet administrative të 8 majit) i numërova disa frikëra të miat, të cilat ai më la të kuptoja se i llogariste, gjithashtu, përpara se t’i dëgjonte nga goja ime. “Berisha, nëse e fiton Bashkinë e Tiranës, hallall ta ketë, por ai nuk duhet lënë ta vjedhë atë”, mbaj mend t’i kem thënë. “Përndryshe, nëse ai e vjedh dhe këtë ‘pushtet’, do të bëhet shumë i frikshëm: pas pak muajsh do marrë Presidencën, pas saj do marrë SHISH-in, e më pas Prokurorinë, dhe asnjëri s’mund ta ndalojë, pasi do t’i marrë në përputhje me ligjet e me Kushtetutën; një njeri që të vret pa ligj e që të vjedh zgjedhjet duke dhunuar ligjet, nuk mund të ndalohet të marrë atë që ia njeh ligji”.

Ne nuk mundëm ta ndalonim atë ta merrte bashkinë ashtu si e mori. Dhe ja ku jemi. Gusht 2012. Presidenca ka ca javë që ka rënë. Ra dhe SHISH-i pardje. Do bjerë dhe prokuroria; është e sigurt që do bjerë. Asnjeri s’mund ta ndalë rënien e saj. Është ligji që ia njeh Berishës të drejtën të zgjedhë kryeprokuror një Nishan tjetër. E pas kësaj, do të marrë dhe zgjedhjet e vitit 2013. Do t’i marrë me hir a me pahir. Krimi më i lehtë për t’u kryer nga ai që sundon një vend është ‘të vjedhë zgjedhjet’. Është një krim që mund të bëhet duke fshehur kollaj-kollaj provat. Kush do t’ia fshehë? Kuptohet, të gjitha këto institucione që ai po i merr një e nga një, nën vështrimin tonë që kemi ende aftësinë të tronditemi. Por do ta humbasim dhe këtë aftësi. Punë kohe është.

Gazeta “Shqip”

Top Channel