PD: PS po mbron pasuritë e Sadri Abazit

11/08/2012 19:40

Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur sërish asaj Socialiste lidhur me referendumin për heqjen e imunitetit të deputetëve.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e së shtunës, zëdhënësja e PD rideklaroi se, qëndrimi i PS synon vetëm mbrojtjen e të ashtuquajturit “klubi i miliarderëve”, duke iu referuar në veçanti deputetit Sadri Abazi.

“Kërcënumi i PS kundër mbajtjes së referendumit u bë pasi anëtari i klubit të miliarderëve, Sadri Abazi, nuk ka deklaruar 15 milionë dollarë, si dhe prona të tjera të komapnisë “Usluga” që kërkon imunitetitn e presidentit të saj për ta mbrojtur. Ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera, që janë maja e ajsbergut e pasurive të miliarderëve të PS”, ka deklaruar zëdhënësja.

Sipas saj, vetëm për të mbrojtur pasurinë e deputetit Abazi, kryetari i PS, Edi Rama dhe deputetët socialistë janë kundër referendumit për heqjen e imunitetit, të cilin sipas zëdhënëses nuk do ta pengojnë dot.

“Asnjë nismë e Ramës dhe miliarderëve nuk do të pengojë mbajtjen e referendumit për heqjen e imunitetit, që do të tregojë pasuritë kriminale të deputetëve të PS”, ka shtuar zëdhënësja.

Top Channel