Në nderim të mendimtarit dhe politikanit Arbën Xhaferri, Këshilli i
Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbajti sot një minutë heshtje.

Kryeministri e quajti ndarjen nga jeta të Xhaferrit një humbje të madhe për të gjithë shqiptarët.

Ish-lideri i PDSH-së, Arben Xhaferri ndërroi jetë pasditen e së mërkurës
pas një hemoragjie cerebrale të pësuar një javë më parë. 

Për shtatë ditë ai qendroi i shtruar ne Klinikën Neurokirurgjike të Shkupit, ku iu nenshtrua nje trajtimi te posacem dhe ku mjeket bene ç`eshte e mundur per t’i shpetuar jeten, por pa sukses. Ne Pallatin e Kultures ne Tetove u zhvillua nje mbledhje perkujtimore, ndersa funerali u zhvillua ne oren 13.30 për në varrezat e qytetit.

Xhaferri vuante nga sëmundja e Parkinsonit, e cila u be dhe shkak për tërheqjen e tij nga aktivitetet partiake. Megjithatë, ai mbeti deputet për disa mandate që nga viti 1994 në Parlamentin e Maqedonisë.Arbën Xhaferri lindi në qytetin e Tetovës, më 24 janar të vitit 1948.

Karrierën e tij profesionale një kohë të gjatë e kishte ushtruar në Radiotelevizionin e Prishtinës, si redaktor  për Kulturë, ndërsa pas viteve ’90, ai u shpërngul në Maqedoni, duke u përfshirë në skenën politike për 18 vjet me radhë. ai është dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare, të cilën e drejtoi deri në vitin 2007.

Duke qenë lider i PDSH-së njihet për qëndrimet e tij radikale veçanërisht për kërkesat e tij për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë. Gjatë luftës së Kosovës, më 1999, partia e tij ishte në pushtet me ç’rast nga faktori ndërkombëtar çmohet për tonet qetësuese pas ballafaqimit të Maqedonisë me krizën e refugjatëve. Menjëherë pas lajmit për vdekjen e Arbën Xhaferrit, familjes së tij që ndodhet në Prishtinë dhe Partisë Demokratike Shqiptare në Tetovë, i kanë arritur mesazhe ngushëllimi nga zyrtarë të lartë të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Kush ishte Arbën Xhaferri

Kryetari i nderit i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbën Xhaferri u lind në Tetovë në vitin 1948. Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte kahë proçeseve në mbarë shoqërinë shqiptare.

Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferri e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist.

Xhaferri u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj.

Dhe nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferri deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.

Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferri ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur  politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar.

Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.

Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferri duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave iracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve.

Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnike, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.

Arbën Xhaferri është një nga firmëtarët e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni, por që nuk e zgjidhi problematikën mes shqiptarëve dhe maqedonasve, sic edhe e pranon vetë ai në një intervistë për emisionin “Shqip” në Top Channel.

“Unë nuk them që ka marrë fund, por them se ajo marrëveshje nuk po implementohet. Në dallim nga të tjerët, unë jam i vetmi që e kam lexuar e stërlexuar Marrëveshjen e Ohrit dhe e di çfarë përmban ajo. Të tjerët nuk e kanë lexuar dhe nuk e dinë se në cilat pika po devijohet kjo marrëveshje”, tha Xhaferri.

Arbën Xhaferri mbase ishte nga politikanët e rrallë që ia doli nga e përkohshmja, politika, të bëjë shumëçka që atë do e bëjë të përjetshëm në botën shqiptare.

E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithësesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.

Kuptohet edhe si i tillë, largpamës e me mendim të ndritur, ai nuk ka mundur ta parashikojë se do vdiste pasditen e kësaj të mërkure gushti, por gjithësesi se më qartë se cilido tjetër, i shihte rrugët e ardhmërisë ngado shkonte kjo shqiptari e copëtuar, të cilës mbase më së shumti i mungojnë njerëz vizionarë si Arbën Xhaferri.
 

Top Channel