Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i përbërë nga shtetet të cilat e njohin Kosovën, i dha fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Diplomatë të huaj të mbledhur në ambientet e qeverisë së Kosovës konstatuan se pakoja e Ahtisarit nuk ekziston më si fuqia juridke e veçantë dhe më e lartë. Këtë plan e zëvendëson Kushtetua e Republikës së Kosovës, e cila siç thuhet në deklaratën zyrtare, tani përbën bazën e vetme të kornizës  juridike të vendit.

Mbyllja e mbikëqyrjes është njoftuar në një
konferencë për shtyp ku kanë marrë pjesë shefi në ikje i ICO-së, Piter
Faith dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Në fjalën e tij, Faith ka vlerësuar se Kosova, ndonëse një shtet i ri, ka bërë hapa konkretë përpara për ndërtimin e një shteti multietnik.

“Qeveria kosovare ka miratuar vendime të rëndësishme për një Kosovë multietnike. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm për të ecur përpara dhe të aspirojë BE-në. Ajo gjithmonë do të përfitojë nga miqësia e BE dhe SHBA”, ka deklaruar Faith.

Ndërsa kryeministri Thaçi nga ana e tij e ka cilësuar si një moment historik për Kosovën mbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

“Bashkësia ndërkombëtare i dha mbështetje të plotë institucioneve të Kosovës për mbylljen e mbikëqyrjes. Ky është një moment historik dhe i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, që po forcohet çdo ditë”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se Kosova në këto vite pavarësi ka arritur shumë objektiva, por ka pranuar se ka ende sfida të rëndësishme të cilat presin të zgjidhen.

“Gjithësesi, mbeten sfida të reja si ajo për komunitetin serb në veri, axhenda evropiane për MSA-në, liberalizimi i vizave, etj. Ne do punojmë për të qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe për të pasur një fqinjësi të mirë, përfshirë këtu me Serbinë”, ka vijuar kryeministri.

Faith dhe Thaçi i janë përgjigjur edhe interesit të gazetarëve lidhur me veriun, duke nënvizuar bashkarisht se ajo mbetet sfida kryesore post-mbikëqyrje.

“Vetëm qeveria e Kosovës mund t’u zgjasë dorën e miqësisë dhe pajtimit serbëve të veriut, duke ofruar kushte më të mira jetëse dhe mundësi të barabarta. Këtë nuk mund ta bëjë bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Faith.

“Çështja e veriut do të jetë një përgjegjësi shtesë për mua. Unë kam prezantuar në Uashington dhe në Bruksel një plan për integrimin në institucioneve të serbëve të Kosovës, që parashikon sundimin e ligjit, institucione të lira, investime ekonomike, si dhe largimin e strukturave serbe të udhëhequra nga ish-zëdhënësi i Millosheviçit. Këto do të bëhen gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të ksoovës”, ka thënë më pas Thaçi.

Ahtisari e Wisner: Arritje historike për Kosovën

Një seancë e posaçme për mbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë po mbahet në Parlamentin e Kosovës. Deri tani mes personaliteteve kryesore që kanë mbajtur fjalën kanë qenë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, ish-kryenegociatori Marti Ahtisari, ish-i dërguari i SHBA, Frank Wisner dhe ish i dërguari i BE-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Wolfgang Ischnger.

Jahjaga: Sot u mundësojmë qytetarëve të zgjedhin udhëheqësit e tyre me votë të lirë. Sot Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti. Ne synojmë të jemi një vend i mundësive të mëdha dhe me arritje të larta. Po bëjmë reforma të thella, përfshirë ato në administratë. Kosova e lirë synon anëtarësimin në NATO dhe BE. Mbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur, rrjedhojë e angazhimit tonë.

Thaçi: Në momentet më të vështira bota hapi sytë. Mijëra vetë dhanë jetën për pavarësinë. Sot ne synojmë një jetesë në paqe.

Ahtisari: Jam sot këtu për të përfunduar një rrugëtim. Suksesi në Kosovë dhe Serbi nuk gjendet në duartrokitje, por në përkushtimin ndaj një plani. Arritjet e Kosovës janë suksesi ynë i përbashkët. OKB dhe BE kanë monitoruar Kosovën më shumë se cdo shtet tjetër, por mbikëqyrësit më të denjë të pavarësisë janë vetëm qytetarët e Kosovës. Kosova tani do të mbikëqyret vetëm përmes raport-progresit të KE-së.

Wisner: Ndaj në këtë skenë përgëzimet e mija për ju zonja presidente, ju kryeministër dhe ju zoti Faith, që bëtë që GND të arrijë këtë përfundim. Unë isha i dërguari i SHBA në negociatat për statusin, detyrë të cilën e pranova me shumë përgjegjësi. Unë jam i gëzuar që pavarësia e Kosovës ka qenë e rëndësishme për SHBA, pasi nëse nuk do të kishte paqe në këtë vend, nuk do të kishte paqe në Ballkan dhe për rrjedhojë as në Evropë. Pa konsideruar pavarësinë si të ardhmen e Kosovës, as misioni i NATO-s nuk do të përmbushej dhe ne do të kishim një dështim përpara. SHBA do të mbështesin këtë shtet që të sigurojë vendin e tij në bashkësinë ndërkombëtare, të përmirësojë ekonominë e tij dhe të ketë një të ardhme më të mirë për popullin. I rëndësishëm mbetet dialogu me Serbinë, fqinjësia e mirë dhe shuarja e strukturave paralele serbe.

Ischinger: Është një ditë gëzimi për Kosovën, Kuvendin, qeverinë dhe vecanërisht për popullin e Kosovës. Jam i lumtur që jam këtu në këtë ditë. Ky Kuvend ka bërë një punë të shkëlqyer duke jetësuar planin Ahtisarit në kornizën kushtetuese të Kosovës. Falenderoj Kfor-in dhe Eulex-in si dhe mikun tim Peter Faith për punën e palodhshme. Mendoj që shteti nuk duhet të kundërshtojë identitetin, por të ndihmojë në përforcimin e tij, kjo vlen edhe për veriun e vendit. Në veri do të duhet kohë, por do të realizohet. Duhet luftë kundër korrupsionit dhe zbatimin e ligjit, kusht për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për zhvillimin e ekonomisë. E ardhmja e Kosovës është në Europë dhe vetëm Europa. U bëj thirrje të gjitha vendeve, brenda dhe jashtë BE-së që ka ardhur koha të njohin Kosovën si shtet. Sa për marrëdhëniet me Beogradin, qëllimi i Ashton është që të vijojë dialogu me Serbinë, sepse Kosovë vetëm do të përfitojë nga kjo. Shfrytëzoni sovranitetin tuaj me përgjegjësi! Mundohuni të jeni shembull për rajonin!

Obama përshëndet Kosovën: Tani më shumë përgjegjësi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka përshëndetur Kosovën
me rastin e mbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Përmes një mesazhi,
zoti Obama ka shprehur mbështetjen e tij për mbylljen e këtij proçesi,
që sipas tij përbën një sukses të madh për popullin kosovar.

“Mirëpres dhe përkrah fuqishëm lajmërimin e sotëm nga Grupi Ndërkombëtar
Drejtues se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës ka
përfunduar. Pas gati katër viteve e gjysmë, përmbushja e dispozitave të
Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit është një arritje
madhore për gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Obama.

“Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë që është karakteristike për
popullin e saj, Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e
arritjeve të pas pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një
shteti modern, shumetnik, përfshirës, dhe demokratik”, është shprehur
presidenti amerikan në mesazhin e tij.

Megjithatë, shefi i Shtëpisë së Bardhë vlerëson se, Kosova ka ende punë
për të bërë, sidomos tani që udhëheqësit e saj marrin përgjegjësi të
plotë për të siguruar se parimet e mishëruara në deklaratën e saj të
pavarësisë dhe në Kushtetutë do të plotësohen për çdo qytetar.

“Kosova po ashtu duhet të vazhdojë të angazhohet konstruktivisht me
fqinjët e saj dhe të punojë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura,
posaçërisht ato me Serbinë. Arritja e kësaj do të përforcojë pavarësinë,
sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, dhe do të
shërbejë për promovimin e stabilitetit nga i cili varen perspektivat
Euroatlantike të rajonit”, thotë më tej Obama.

Më tej, në emër të popullit amerikan, presidenti ka uruar qeverinë,
parlamentin dhe popullin e Kosovës në këtë moment historik, që sipas tij
shënon një hap të rëndësishëm drejt vendit të Kosovës në një Evropë të
lirë, të tërë dhe paqësore.

Reagimi i Serbisë: Për ne pavarësia s’ekziston

Serbia e konsideron fundin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës si shtim të mosbesimit nga ana e serbëve dhe të frikës.

Aleksandar Vulin, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, thotë
se atje ku institucionet e Kosovës e kanë pasur situatën nën kontroll,
asnjëherë nuk ka pasur siguri dhe drejtësi.

“Nëse institucionet e Kosovës vendosin siç kanë vendosur deri më tani,
atëherë ky do të ishte një gabim historik”, ka thënë Vullin.

Ndërsa kryeministri Ivica Daçiç ka thënë se për Kosovën nuk ka asnjë
lloj pavarësie. “Për ne çështja e Kosovës nuk është zgjidhur përderisa
për këtë gjë nuk pajtohet Serbia”, ka deklaruar Daçiç.

Ai, në vend të pavarësisë, ka folur për tregtinë me organe dhe hetimet
lidhur me këtë çështje. Ndërkohë që serbët e veriut kanë deklaruar se
për ta ky nuk përbën asnjë ndryshim.

“Serbia nuk prish festën e Kosovës, por vetë Kosova ka pranuar EULEX-in
dhe shumë kushte të tjera që tregojnë se festa nuk ekziston”, ka shtuar
Daçiç.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes,
Aleksandar Vuçiç ka takuar ambasadoren amerikane Mary Worlick, me të
cilën ka biseduar për vazhdimin e dialogut. Vuçiç ka thënë se gjatë
vizitë së tij të ardhshme në Gjermani do të bisedojë për Kosovën. 

Nishani: Kosova la pas të kaluarën e hidhur

Urimeve që po i bëhen Prishtinës me rastin e mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur u është bashkuar edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Në mesazhin e tij, Nishani vlerëson se tashmë Kosova është ndarë përfundimisht nga e kaluara e hidhur dhe se po shkon drejt një të ardhmeje të begatë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, ju drejtohem në një moment solemniteti dhe reflektimi, kur e ardhmja dhe e shkuara e Kosovës ndahen dhe bashkohen njëherësh. Ndahen e shkuara e hidhur nga e ardhmja e sigurtë plot begati për të gjithë qytetarët e Kosovës, të çfarëdo etnie dhe përkatësie fetare. Bashkohen përpjekjet dhe përkushtimi për liri, demokraci dhe prosperitet. Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës është kurorëzimi i përpjekjeve dhe veprës sublime të brezave të luftëtarëve, dëshmorëve, njerëzve të dijes, politikanëve dhe aleatëve tanë të lirisë. Përulemi me mirënjohje para veprës së tyre! Republika e Kosovës sapo ka nisur udhëtimin e saj të gjatë si një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran që ka tërësisht në duart e saj të ardhmen e qytetarëve dhe të brezave që do të vijnë. Më lejoni t’ju uroj në këtë ditë ogurbardhë, gëzimi i të cilës bëhet pjesë e festimit tonë të 100-vjetorit të shtetit të parë shqiptar. Kjo është një ditë e mbushur me entuziazëm, por edhe me një përgjegjësi të madhe”, thotë Nishani.

Vetëvendosje bojkotoi seancën

Lëvizja Vetëvendosje, e cila prej fillimit pati kundërshtuar Pakon e Ahtisarit, mbi bazën e së cilës u shpall pavarësia e Kosovës në shkurtin e 2008-ës, paralajmroi më herët gjatë së hënës se nuk do të merrte pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e mbajtur me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, sipas liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, është një farsë pasi aty nuk flitet për sovranitet apo vetëvendosje.

“Ne jemi për sovranitet dhe vetëvendosje, e në këtë seancë të sotme nuk do të flitet për asnjërën prej tyre. Ne besojmë se Kosova meriton shumë më tepër, që popullit të Kosovës i takon shumë më tepër dhe ne do të punojmë që Kosova të jetë shumë më e mirë se ç’është”, deklaroi Kurti.

“Ajo çka po ndodh këto ditë, e sidomos sot, është shndërrimi i filmit ‘Bac u kry’ në  serial, ku pjesa ‘Bac u kry’ para 4 vjet e gjysmë po bëhet ‘Bac, u kry pjesa e dytë’. Ky pushtet po ofron gjithnjë më shumë cirk, sepse po jep gjithnjë e më pak bukë”, shtoi Kurti.

Kurti po ashtu kritikoi edhe njëherë planin e Ahtisarit, duke thënë se ky plan nuk përmban pavarësinë e plotë të Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka vonuar pavarësinë e vërtetë.

Një ditë më parë Kurti i dërgoi një letër Marti Ahtisarit, ku kritikonte planin e tij dhe i kërkonte të pranojë se Kosova mund dhe duhet të shkojë përtej planit të tij. 

Top Channel