Humbet kombëtarja shqiptare

11/09/2012 22:35

Kombëtarja shqiptare mundet 0-2 nga përfaqësuesja zvicerane e drejtuar nga Hitzfeld e cila kishte mundësi për të shënuar edhe një tjetër gol, por shqiptari nga Kosova që luan për helvetikët Granit Xhaka nuk donte të ndëshkonte për të tretën herë Ujkanin dhe kombëtaren tonë kuqezi.

Një kombëtare ndryshe nga ajo e para sidomos në minutat e para e cila ishte shumë e ngathët dhe nuk arriti të dalë dot nga gjysëmfusha e saj.

Rasti i parë i vërtetë i ndeshjes ishte gjuajtja nga larg e Mehës por portieri kundërshtar e grushtoi topin. Në minutën e 22 një karambol para portës tonë shfrytëzohet mjaft mirë nga Xherdan Shaqiri që nuk e pati të vështirë të conte topin në rrjetë. 1-0 për Zvicrën por shqiptari Xherdan Shaqiri nuk festoi.

Disa minuta më vonë ishte Ervin Bulku që gjuajti nga larg por sërish portieri kundërshtar e nxjerr topin jashtë duke mos lejuar që rezultati të barazohej.

Në pjesën e dytë De Biazi bëri 2 ndryshime, por atëherë kur pritej që kombëtarja jonë të mblidhte veten, Dallku bën një gabim në mbrojtje duke i dhuruar një 11-metërsh Zvicrës. Inler dyfishoi nga pika e 11-metërshit.

Në minutat e fundit të ndeshjes kueqinjtë provuan edhe dy herë të tjera me gjuatjet nga jashtë me canën dhe Agollin por sërish porta e zvicrës mbeti e paprekur. Pas ndeshjes trajneri De Biazi që pësoi dhe humbjen e parë me kombëtaren tonë deklaroi:

“Ishte një ndeshje që të vjen keq që ta humbësh, sepse po luanim mirë por me dy gabime tona Zvicra është një skuadër që nuk të fal. Do të mundohemi që të ndryshojmë kualitetin e lojës sonë, të bëjmë një grup më kompakt, pasi në këtë moment nuk po funksionojmë”, tha trajneri, De Biassi.

I vërshëllyer gjatë të gjithë ndeshjes, Valon Behrami ka deklaruar në SuperSport se ai ndihet krenar që është shqiptar.

“Kemi punuar që të japim imazhin e mirë të shqiptarëve në Zvicër. Unë jam krenar që jam shqiptar. Pas luftës kam bërë këtë tatuazh se jam i lidhur, është familja ime toka ime është atje”, tha Valon Behrami, futbollist i Zvicrës.

“Nuk është e lehtë të luash ndaj Shqipërisë, gjakun e kemi shqiptar, babanë dhe mamanë i kam shqiptarë”, deklaroi Granit Xhaka.

“E kemi ditur që do të ishte një lojë emocionuese për ne. Ishte një moment i mirë për Zvicrën kur shënova golin por një moment i keq për Shqipërinë dhe për respket nuk kam festuar, pasi familjen e kam nga Kosova”, tha futbollisti i Bajernit të Mynihut, Xherdan Shaqiri.

Në sfidat e dyta të grupit E, Qipro dhe Norvegjia kanë marrë fitoret e para duke bërë që 4 skuadra të jenë në kuotën e 3 pikëve. Qipro mundi 1-0 Islandën, ndërsa Norvegjia mposhti 2-1 Slloveninë e cila në fillim të këtij sezoni ishte një nga pretendentët e grupit ndërkohë që deri tani ka 0 pikë.

Top Channel