Pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesit e
institucioneve thonë se tani ata janë më të lirë që të veprojnë për
shtrirjen e autoritetit në veri të vendit.

Zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të Kosovës thanë se veriu mbetet sfida më e madhe për institucionet.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së kryesisë tha se tani ajo pjesë e Kosovës do të jetë përgjegjësi e institucioneve vendore. “Ajo pjesë është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, por do të jetë edhe një koordinim me faktorin ndërkombëtar që është prezent në Kosovë”, deklaroi Krasniqi.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas Krasniqit, nuk ka ndikuar në punën e Kuvendit, për faktin se, sipas tij, vendimet e mëdha janë marrë me shumicë votash.

Për shtrirjen e ligjshmërisë në pjesën veriore, Krasniqi konsideroi se duhet të realizohen planet dhe projektet, por plan më i mirë për integrimin e veriut të Kosovës, mbeti ai i Ahtisaarit.   

“Kjo varet kryesisht nga projekti që do ta bëjë qeveria për t’iu afruar komunikimit me qytetarët serbë të Kosovës të asjaj pjese. Unë jam i bindur që projektin Kosova e ka. Projekt më të mirë për komunitete nuk kemi as në rajon e as në vendet e Bashkimit Evropian, e ai është projekti gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Qeveria e Kosovës, kujton “Evropa e Lire” për të nisur shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës, së fundi hapi Zyrën Administrative, hapi i dytë parashihet të jetë dialogu me komunitetin serb dhe tjetri, organizimi i zgjedhjeve dhe formimi i organeve kompetente.

Sa i përket veriut, Plani i Ahtisarit nuk është zbatuar asnjëherë, pasi atje, ka mungesë të shtrirjes së rendit kushtetues.

Partitë politike opozitare, kritikojnë qeverinë se edhe para fundit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, ka pasur mundësi të veprojë në veri.

Top Channel