Youtube heq filmin anti-islam për Libinë dhe Egjiptin

13/09/2012 08:30

Youtube ka bërë të ditur se ka bllokuar për Libinë dhe Egjiptin filmin anti-islamik ‘Innocence of musulmans’ (Pafajësia e myslimanëve) që ka provokuar reagime të dhunshme anti-amerikane në dy vendet.

“Duke parë gjendjen e vështirë në të dy vendet, Libi dhe Egjipt, kemi vendosur që përkohësisht të bllokojmë filmin në këto shtete”, lexohet në një komunikatë të Youtube.

“Ne mendojmë për familjet e personave që janë vrarë në sulmet në Libi”, lexohet më tej në komunikatë.

Dronë amerikanë në Libi

Disa avionë amerikanë të telekomanduar mund të fluturojnë mbi Bengazi dhe lokalitete të tjera në lindje të Libisë për të goditur personat që kryen sulmin në selinë diplomatike amerikane në Bengazi.

Lajmin e bën të ditur CNN, që citon burime sipas të cilave propozimi për të përdorur dronët pritet të miratohet së shpejti nga Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë.

Përveç vdekjes së ambasadorit amerikan Chris Stevens, një funksionari të konsullatës dhe dy marinsave, pesë civilë amerikanë kanë mbetur të plagosur.

Ekspertët: Sulm i planifikuar nga Al Kaeda

Ndërkohë, funksionarë të administratës amerikane, të cituar sërish nga CNN, kanë folur për “një sulm të planifikuar nga Al Kaeda”.

Sipas tyre, rebelimi ndaj filmit blasfem ka shërbyer vetëm si një diversion dhe ngjarja në të vërtetë ka lidhje me vrasjen e Al Libit, numri dy i rrjetit terrorist.

“Ekstremistët e dinin që ambasadori ishte në ndërtesë”, kanë shpjeguar ekspertët, ndërkohë që dy marinsat dhe funksionari i ambasadës humbën jetën në një shtëpi ku ishin strehuar pas sulmit në konsullatë.

Vrasja e ambasadorit, 200 marinsa në Libi

Rreth 200 marinsa janë bërë gati për t’u nisur në Libi, në përpjekje për të përforcuar sigurinë në selitë diplomatike të Tripolit dhe Bengazit, pas vrasjes së ambasadorit amerikan.

Lajmin e bën të ditur edicioni online i transmetuesit amerikan NBC, që citon funksionarë të administratës amerikane.

Ndërsa sipas burimeve të tjera, njësi të tjera janë nisur për në Kabul dhe Kajro, edhe këtu për të rritur sigurinë në ambasada e konsullata.

Protestat kundër filmit blasfem

Në Bengazi, duke nisur nga e marta, pati protesta të dhunshme kundër një filmi të konsideruar ofendues ndaj profetit Muhamed.

Mendohet se filmi rreth profetit Muhamed u financua nga anëtarët e grupit të mërgimtarëve kopt të krishterë të Egjiptit.

Protestat përkuan me 11-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel