Pranverë arabe apo verë Saharaje?!

13/09/2012 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Dikur, jo shumë kohë më parë, Bengazi ishte djepi që
përkundi dhe i dha formë ëndrrës së libianëve për të larguar nga
pushteti Muamar Gedafin dhe për të instaluar demokracinë.

Kështu thuhej së paku në kronikat e reporterëve entuziastë, që vinin nga kjo pjesë e trazuar e Afrikës Veriore, e përfshirë në furtunën e madhe të Pranverës Arabe. Por kanë mjaftuar pak orë, për ta tronditur thellë imazhin që opinioni publik botëror kishte për këtë vatër të rezistencës libiane.

Vrasja brutale e ambasadorit amerikan në Libi, Chris Stevens, dhe tre funksionarëve të tjerë të përfaqësisë diplomatike të SHBA nga një grup terrorist, qe një shok i vërtetë. Formalisht protesta e dhunshme në Bengazi (por edhe në Kajro), ka marrë shkas nga një film i dalë së fundi, i cili nga vendet islamike shihet si ofendues për profetin Muhamet. Por informacionet që vijnë në orët e fundit, tregojnë se përtej këtij preteksti, ajo që ka marrë jetën e ambasadorit amerikan dhe personelit të ambasadës, ka qenë një përfshirje e grupeve terroriste islamike, kryesisht e “Al Kaedës”.

E tepërt të thuhet se lajmi për vrasjen brutale të Stevens ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Uashingtonit. Mesazhi i Presidentit Obama, në lidhje me ngjarjen tragjike, nënvizonte vendosmërinë për zbulimin e autorëve të vrasjes, por vinte në dukje mjaft qartë edhe faktin se SHBA nuk fajësonin popullin dhe qeverinë libiane për këtë akt të shëmtuar.

Përmbysjet politike në Afrikën Veriore kanë qenë një ndër investimet e mëdha të mandatit presidencial të Obamës. Incidenti i rëndë i Bengazit përbën një dhimbje të fortë koke për liderin më të fuqishëm në botë, pasi lëkund imazhin e krijuar në botë për këto vende të dala nga diktatura brutale afatgjata. Obama duhet të përballet tani me realitetin e ri të amullisë që lanë pas revolucionet në Tunizi, Egjipt e Libi. Aq më tepër kur e gjitha kjo ndodh në mesin e një fushate presidenciale tejet delikate për Presidentin Obama, por edhe në përvjetorin e njëmbëdhjetë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Vrasja e ambasadorit amerikan në Libi është një tjetër provë e vrazhdë, se bota arabe, e dalë nga terri i diktaturave familjare e regjimeve autokratike, ndodhet e zhytur në një pasiguri të thellë për të ardhmen. Ngjitja në pushtet e një presidenti filo-islamik në Egjipt, kaosi politik në Libi (dje duhej të vendosej për kryeministrin e ri që do të qeveriste për 18 muajt e ardhshëm), si dhe situata e rëndë në Siri dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, i shton dilemat rreth stabilitetit afatgjatë që pritej të vinte me rënien e regjimeve të dhunshme të Ben Aliut, Mubarakut e Gedafit. Gjendja në Afrikën Veriore e Lindjen e Mesme vijon të jetë tejet komplekse, për shkaqe të reja dhe të vjetra, ku kriza me Izraelin, lufta siriane dhe përballja bërthamore me Iranin veçse e komplikojnë rrugën drejt ndërtimit të shoqërive demokratike.

Lajmet më të fundit që shpërndanë rrjetet amerikane të informacionit, flisnin për një implikim të drejtpërdrejtë të “Al Kaedës” në vrasjen e diplomatëve të lartë amerikanë në Bengazi. Edhe gjatë luftës kundër Gedafit, në atë zonë, të dominuar nga rebelët, janë infiltruar celula terroristësh islamikë, të cilët kanë ngritur edhe bazat e tyre. Pak orë para se Stevens të vritej, në internet u hodh një thirrje e kreut aktual të “Al Kaedës”, Al Zavahiri, i cili apelonte për të goditur amerikanët në Libi. Në Uashington këtë apel e lidhin direkt me sulmin e armatosur të një grupi të vogël njerëzish, kundër diplomatëve amerikanë.

Nëse kjo do të konfirmohej zyrtarisht në orët e mëvonshme, do të shënonte një zhvillim tejet shqetësues, i cili do t’i jepte terren tezës se “Al Kaeda” dhe organizata të tjera terroriste, e kanë përdorur lëvizjen për demokraci në vendet e Afrikës Veriore, si një mbulesë për infiltrimin dhe fuqizimin e tyre në këto vende. Kësaj teze i bashkohet indirekt avancimi i frontit islamik në Egjipt dhe përgjithësisht një frymë konservatore e rilindur në këto vende. Përtej emrit të bukur që lëvizja mori në fillimet e saj, pranvera në vendet arabe, duket ende e largët. Ajo ngjan tani më shumë me një verë përvëluese Saharaje…

Gazeta “Shqip”

Top Channel