Al Kaeda: Të vazhdojnë sulmet anti-USA

15/09/2012 00:00

Al Kaeda në gadishullin arabik u ka kërkuar myslimanëve që të vazhdojnë manifestimet kundër filmit anti-Islam dhe ka kërkuar që të sulmohen ambasada të tjera amerikane në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Perëndimore.

Lajmin e bën të ditur Site, faqja e internetit me bazë në Shtetet e Bashkuara që monitoron aktivitetet e grupeve xhihadiste në web.

Sipas të njëjtit burim, Al Kaeda ka deklaruar se sulmi ndaj konsullatës amerikane në Bengazi, në lindje të Libisë, ishte një hakmarrje për vrasjen e numrit 2 të organizatës, Abu Yahya al Libi.

“Vdekja e Al Libit ka stimuluar entuziazmin e djemve të Omar al Mokhtar, në Libi, që të hakmerren ndaj atyre që u tallën me profetin tonë”, njofton dega jemenase e Al Kaedës.

Nga sulmi i ndodhur në konsullatën amerikane në Bengazi humbi jetën ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Christopher Stevens, një punonjëse e stafit të selisë diplomatike dhe dy marinsa që merreshin me sigurinë.

Ekspertë amerikanë të anti-terrorit deklaruan që atë ditë se tallja e Islamit përmes filmit kontroversi kishte shërbyer vetëm si diversion që organizata terroriste të sulmonte ambasadën.

Ndërkohë, është zbuluar se filmi anti-Islam është xhiruar në sheshet që përdoren për xhirimin e filmave hollivudianë dhe për serialet televizive.

Sipas “Hollywood Reporter”, pamjet janë filmuar pjesërisht në sheshxirimin e serialit “JAG” dhe në një shesh në Santa Klarita, të përdorur për filmin “Iron Man” dhe serialin “CSI”.

Top Channel