Arvizu tek grevistët: Qeveria t’ju dëgjojë

08/10/2012 00:00

Tentativa për t’u vetëflijuar nga Gjergj Ndreca ka detyruar ambasadorin e SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu të vizitojë në mbrëmje grevistët me të cilët pati edhe një bashkbisedim duke u shprehur keqardhje për veprimin e tij.

“Së pari doja të thoja që më vjen shumë keq dhe u trishtova vërtetë kur mësova se cfarë kishte ndodhur sot në mëngjes. Është gjithashtu trishtuese dhe zemër thyese të dëgjosh cfarë vuajtjesh keni kaluar të gjithë. Ka qënë e vështirë për ju pasi e patë vetë u bëtë dëshmitarë të asaj që ndodhi. Së pari do të doja tju kërkoja të mos bëni asgjë tjetër që do të lëndonte veten. E kuptoj vuajtjen dhe inatin tuaj por duke dëmtuar veten nuk besoj se do të zgjidhni gjë. Keni absolutisht të drejtë të këmbëngulni që zëri juaj të dëgjohet”, tha Arvizu.

Ambasadori Arvizu njohu grevistët me përpjekjet që ai ka ndërmarrë gjatë paradites të së hënës në mënyrë që qeveria të nis komunikimin me grevistët.

“Gjatë ditës kam shpenzuar kohë duke folur me disa persona në koalicionin qeverisës dhe i kam nxitur të bëjnë cdo përpjekje në gjetjen e mënyrës së komunikuarit me ju.  Është e drejta juaj të kërkoni që zëri juaj të dëgjohet, jeni të gjithë shqiptarë. Qeverisë i kam kërkuar të gjëndet rrugët e komunikimit me ju”, shtoi ambasadori amerikan në Shqipëri.

Një ish i burgosur politik i ka rrëfyer ambasadorit Arvizu torturat cnjerëzore në burgjet e komunizmit. Më pas kryediplomati amerikan zhvilloi një vizitë në spital ku ndodhet nën trajtimin mjeksor dhe ruajtjen e policisë Gjergj Ndreca.

Grevistët: Të vendosur për vetëflijim

Në çadrat e grevës së urisë, ditës së 17-të, përvec mungesës së ushqimit dhe simptomave që shkakton kjo, u shtua edhe ngjarja tragjike; ajo e vetëflijimit të Gjergj Ndrecës.

Në orët e mbrëmjes, disa orë pas ngjarjes së rëndë, ish të përndjekurit politikë në grevë urie, shprehen të vendosur t’i shkojnë deri në fund protestës së tyre deri në realizimin e kërkesave të tyre, tërësisht ekonomike.

“Me dhimbje, një nga vëllezërit e fateve tona tragjike ndërmori një akt të paprecedentë. Ne jemi në ankth dhe presim me padurim përmirësimin e shëndetit të tij. Por presim edhe që qeveria  e Berishës të bëhet sadopak e përgjegjshme për fatet e qytetarëve të vet, të kthejë sytë të shikojë ca po ndodh në këto ambiente”, thonë ish të përndjekurit.

Pytjes nëse po nxitojnë me protestën ekstreme, duke patur parasysh se qeveria ka deklaruar se do të vazhdojë të shpërndajë këstet për këtë kategori shoqërore, ish të përndjekurit iu përgjigjën duke thënë se tashmë, pas 22 viteve mashtrime, s’mund të presin më.

Oketa: Të nisë komunikimi

Për të komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e së hënë të vetëflijimit të Gjergj Ndrecës, në studion e edicionit informativ në Top Channel ishte një ndër drejtuesit e FRD-së, Gazmend Oketa.

Pasi uroi shërim të shpejtë Gjergj Ndrecës, deputeti Oketa tha se veprimi ekstrem i tij ishte pasojë e mungesës së komunikimit. Qeveria tha ai duhet të rivendosë sa më parë ura komunikimi me këtë pjesë të shoqërisë, e sidomos me grevistët në mbështetje të parimit se cdo qeveria, parësore duhet të ketë mbrojtjen e jetës së qytetarëve të saj.

“Për shkak të heshtjes së kryeministrit Ndreca kaloi në vetëflijim. Unë u kam bërë sot një letër të hapur drejtuar partive parlamentare me kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për të rivendosur dialogun me grevistët, pasi sot jemi në ditët e 17 të grevës dhe qeveria nuk ka dërguar asnjë për të vendosur rrugët e komunikimit. Të ruhet jeta e këtyre grevistëve. Ata janë të vendosur të vetëflijohen. Mbi gjithcka, objekti kryesor i qeverisë është sigurimi i jetës, kërkesat e tyre janë të pastra ekonomike”, tha zoti Oketa.

Një trajtim të tillë tia lëmë një periudhe të mëvonshme, qytetarët shqiptarë që kanë vuajtur persekutimet e diktaturës, sot shqetësimi kryesor duhet të jetë jeta e tyre.

Greva, reagojnë PS dhe LSI

Partia Socialiste reagoi pasditen e së hënës duke akuzuar kryeministrin Berisha që i injoroi ish-të përndjekurit që kërkojnë të drejtat e tyre, duke e çuar situatën deri në ato skena që tronditën mbarë opinionin.

“I besoja Sali Berishës si Krishtit, thoshte Gjergj Ndreca, por Berisha zgjodhi atë që di të bëjë më mirë, ta injorojë, ta tallë dhe ta quajë të çmendur e sharlatan në mediat e tij. Këta njerëz vuajnë sepse guxuan të sfidonin atë regjim dhe sot po injorohen”, deklaroi eksponentja e PS, Lindita Nikolli.

Ndërsa LSI kërkoi zhvillimin e dialogut me grevistët dhe gjetjen e një zgjidhjeje humanitare. “Është e udhës të gjendet rruga e komunikimit, dialogut dhe diskutimit me transparencë e gjithë problematikës që ka shtyrë grevistët të zgjedhin rrugën ekstreme përmes grevës së urisë”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama.

Top Channel