Deklaratë e ish të përndjekurve grevistë

08/10/2012 00:00

Duke shfrytëzuar një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqip” në Top Channel, ish të burgosurit politikë në grevë urie, ende të tronditur pas tentatives per vetëflijim të bashkëvuajtësit të tyre, Gjergj Ndreca, lëshuan një deklaratë për publikun, shtylla e së cilës ishin 8 pika.

Në pikën e parë të deklaratës së tyre, ish të burgosurit këmbëngulin se greva e tyre është e motivuar vetëm ekonomikisht.

Së dyti, thonë grevistët, cdo përpjekje nga parti apo shoqata për ta orientuar politikisht këtë grevë, konsiderohet e papranueshme.

Së treti, ish të burgosurit politikë e konsiderojnë deklaratën e kryeministrit Berisha, që vlerësoi se greva është politike dhe e nxitur nga PS, si shmangie e tij për të zgjidhur kërkesat e tyre.

Së katërti, ish të përndjekurit vlerësojnë si të papranueshme heshtjen e Presidentit të Republikës lidhur me protestën e tyre.

Së pesti, grevistët kërkojnë nga organizmat ndërkombëtarë këtu në Tiranë, vecanërisht nga Ambasadori BE-së, Ettore Sequi dhe Ambasadorit amerikan, Alexander Arvizu që të ndërhyjnë që kërkesat e tyre të marrin zgjidhje, nisur nga heshtja e organeve të vendit.

Së gjashti, ish të përndjekurit vlerësojnë angazhimin e medias joqeveritare dhe u apelon atyre qeveritare të mos pasqyrojnë përciptazi protestën e tyre.

Së shtati, ish të përndjekurit falenderojnë qytetarët shqiptarët për mbështetjen në këto ditë të vështira.

Dhe pika e tetë dhe e fundit, ish të përndjekurit shprehin vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund grevës. “Më mirë të vdesësh me nder, se sa të vdesësh i përbuzur”, thonë ata.

***

Ngjela: Burgu im

E në këto ditë të vështira për ish të përndjekurit politikë, Spartak Ngjela shpalos vëllimin e dytë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Ndërsa vëllimi i parë përfshiu refleksione nga 1957, vëllimi i dytë i librit me të njëjtin titull i Avokatit nis nga 1975 deri në 1991, vitet e kalvarit të vuajtjeve të Ngjelës.

Duke folur në “Shqip” Ngjela si ish i përndjekur rrëfen jetën në “parajsë”, jetën kur ishte pjesë e banorëve të kryeqytetit. Një jetë “elitë” për ato vite. Jeta në Tiranë, rrëfen avokati, ishte ndryshe nga ajo në rrethe. Këtu ishin mbledhur artistët, inxhinierët, këngëtarët, elita.

Më tej, Ngjela foli “dy fjalë” për jetën e tij, nga vitet në burgje, në të njëjtën qeli me të atin, e deri tek analizimi i figurës së Enver Hoxhës, arketipi i të cilit, sipas tij, është ende gjallë sot. Hoxha, thotë Ngjela, ishte nacionalist në disa drejtime duke i njohur meritën për mbrojtjen e tezës ilire, ngritjes së figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Hero Kombëtar dhe më të rëndësishëm, po sipas tij, gjuhën standarde.

“Unë kam parë nga burgu, fenomenin e shembjes së burgut, fenomenin e gjuhës, fenomenin Gorbaçov dhe Ten Tsiao Pin”, thotë Ngjela duke sqaruar se këndvështrimi nga izolimi i burgut të Burrelit është shpalosur në libër.

Duke iu rikthyer aktualitetit dhe protestës së ish të përndjekurve politikë, avokati tha se qeveria ka sot detyrimin civil të dëmshpërblejë këtë kategori njerëzish të hedhur në protestë.

Ngjela premtoi që në muajin mars të vitit të ardhshëm do dalë në treg vëllimi i tretë i librit të tij, nga 1991 e deri në 2010, një rrëfim i të vërtetave të jetës së tij, bashkëpunëtorëve dhe “rivalëve” publikë në vitet e demokracisë.

Top Channel