Kombëtarja: Përgatitjet anti-Islandë

09/10/2012 15:30

Rikthimi pas rreth një viti në kombëtaren shqiptare e ka entuziazmuar mbrojtësin Debatik Curri, i cili pohon se është rekuperuar plotësisht dhe se pret që trajneri i ri i kuqezinjve De Biasi ta aktivizojë që nga minuta e parë në ndeshjen me Islandën. 

28-vjeçari nga Prishtina pohon se pika më e fortë e kundërshtarëve të së premtes është shtatlartësia e tyre.

“Jam i gëzuar për rikthimin dhe shpresoj që të kemi rezultat pozitiv në këto dy ndeshje (kundër Islandës dhe Sllovenisë. Forca kryesore e nordikëve është shtatlartësia dhe ata do të mundohen të shfrytëzojnë rastet për të na ndëshkuar në lojën në ajër”, theksoi Curri.

Ndërsa mesfushori Ervin Bulku u shpreh: “E rëndësishme është të marrim tre pikët në ndeshjen e së premtes sepse Islanda pak a shumë është në nivelin e Qipros. Këto janë kundërshtarët tanë direktë dhe në këto ndeshje duhet të marrim patjetër pikë.”

Në eleminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, Shqipëria bën pjesë në grupin E, ndodhet në vendin e tretë me 3 pikë, po aq sa Islanda, kundërshtari i së premtes i kuqezinjve.

Top Channel