“Blindohen” ambientet e grevës

11/10/2010 00:00

Dita e 19 e grevës së urisë të ish të përndjekurve politikë ka tërhequr
vëmendjen e opinionit publik. Pas tentativës së dytë për vetëflijim,
Policia e Shtetit ka “blinduar” ambientet, duke mos lejuar njeri që të
futet në çadrat ku po zhvillohet greva.

Një grup i gjerë hetimor ka mbërritur në vendngjarje. Oficerë të shumtë të policisë gjyqësore zbarkuan te vendi i grevës, ndërsa agjentët rrethuan zonën me shirita të policisë. Dukej si një nga hetimet më të rëndësishme të Policisë së Shtetit, pasi krahas tyre, dikush pëshpëriti dhe tha se “jemi në vëzhgim edhe të SHISH-it”. Mobilizimi i policisë ua kalonte edhe hetimeve për vrasjet gjatë 21 janarit.

Asnjë prej ish-grevistëve nuk u lejua të futej në ambientin e rrethuar, ndërsa filluan menjëherë hetimet. Një oficer policie fotografonte vendin e ngjarjes, ndërsa dikush tjetër kërkonte për ndonjë send të hedhur. Të gjithë (oficerët e policisë) ishin në kërkim të shishes me benzinë.

Pas disa kërkimesh jashtë çadrës, policët më në fund u lejuan të hynin pranë vendit ku Lirak Bejko tentoi të vetëflijohej. Sërish vëmendja u përqendrua te shishja e benzinës dhe pas disa kërkimesh, agjentët e policisë e gjetën. Bënë një procesverbal sekuestrimi të provës në vendngjarje dhe më pas filluan marrjen e dëshmive. Disa oficerë policie shkuan te çadra dhe filluan seancat e pyetjeve. Rreth 10 grevistë pranuan të rrëfenin ndodhinë për policinë, ndërsa mësohet se askush prej tyre nuk ka pohuar se ku e kishte gjetur shishen e benzinës Liraku. Ata pohuan se gjithçka ka qenë e organizuar dhe se këto sende ndodheshin që në fillim të grevës.

Policë të shumtë vrojtonin të gjitha lëvizjet e ish të përndjekurve politikë. Dukej sikur do të ndërhynin nga njëri moment në tjetrin për të nxjerrë jashtë grevistët nga çadrat e improvizuara.

Situata e tensionuar zgjati për disa orë, ku herë pas here pati disa konfrontime mes policëve dhe ish të përndjekurve, të cilët nuk lejoheshin të takonin grevistët. Jashtë rrethimit të policisë ndodheshin edhe dhjetëra familjarë të grevistëve, të cilët me lot në sy u kërkonin që të dilnin nga greva. Por, sipas organizatorëve të grevës, gjithçka do të vazhdojë sipas planit dhe listës së përpiluar për t’u vetëflijuar, nëse qeveria nuk pranon kërkesat e tyre për t’u dëmshpërblyer.

Situata është “ndezur” para çadrës së grevistëve rreth orës 15:00, kur policia ka shoqëruar në komisariat një ish të përndjekur, me motivacionin për kundërshtim të forcave të policisë. Nuk jepen të dhëna të tjera nga policia, por nga grevistët mësohet se i shoqëruari është një mbështetës i tyre dhe kishte ardhur në grevë për t’u solidarizuar me ta. Ndërkohë, disa çaste pas këtij incidenti, në mbështetje të grevistëve janë shfaqur edhe simpatizantë të FRESH-it, ku kanë kërkuar që të pranohen kërkesat e grevistëve.

Pa dashur të “ngjyrosen” politikisht, organizatorët e protestës thanë se nuk do të pranojnë asnjë takim me politikanë të të gjitha forcave, pasi kauza e tyre nuk është pjesë e axhendës politike, por ekonomike. Ata pohojnë se do të vetësakrifikohen me radhë dhe se kanë përpiluar edhe një listë për t’u vetësakrifikuar. Tashmë pritet vetëm radha. Vetëm radha për t’u larë në flakë!

Top Channel