Tentativë e tretë për vetëdjegie

12/10/2012 00:25

Një tjetër ish i dënuar politik ka tentuar t’i verë zjarrin vetes, por u ndalua në kohë nga policia. Shtetasi Gani Aliaj i dënuar me 20 vjet burg më parë ka lyer trupin me lëndë djegëse vetëm pak metra nga cadra ku po zhvillohet greva e urisë, por u kap në kohë nga policia, para se të kryente aktin e vetëdjegies.

Ndërsa ndalohej nga policia për t’u shoqëruar për në Komisariatin numër 2 të Tiranës, ai i bënte të ditur të gjithëve që do ta ndërmerrte këtë akt në një tjetër vend në shenjë proteste ndaj qeverisë.

Aliaj edhe pse nuk është pjesëtar i grevës së urisë, por mbështetës i saj, i bashkohet si i treti në listën e ish-të përndjekurëve që kanë vendosur vetëdjegien në shenjë proteste për dhënien e dëmshpërblimeve.

Por Dita e 20-të e grevës së urisë e ish-të përndjekurëve politikë edhe më herët u karakterizua nga tensione të herë pas hershme, për shkak edhe të rrethimit të tendës me forca të shumta policore.

Ndalimi për pak minuta i grevistit Agim Kollcaku t’i bashkohej grevës së urisë u bë shkak për debate mes grevistëve dhe policisë.

Kollcaku vinte pas mjekimit në spital ku morri ndihmë mjekësore për shkak se u përfshi nga flakët, ndërsa përpiqej të shuante zjarrin që përfshiu grevistin Lirak Bejko.

Por brenda grevës tensioni vazhdon. Një prej tyre në një deklaratë për Top Channel thotë se nuk ka më shpresë që Berisha të reagojë për kërkesat e tyre, ndaj ata kanë vendosur t’i drejtohen pjesës tjetër të koalicionit qeverisës. Sipas tyre kreu i LSI-së Meta duhet të mbështesë ata dhe ta përkrahë këtë shtresë.

“I drejtohemi personalisht zotit Meta, ta marrë në konsideratë cështjen tonë dhe mos ta shpërdorojë si rast. Është një rast shumë i dhimbshëm ndaj të cilit ai duhet të ketë pak ndjeshmëri njerëzore për ta trajtuar ashtu sic duhet trajtuar. Nëse të tjerët janë cmendur dikush duhet ta mbledhi mendjen për ta parë realitetin ashtu sic është. Greva jonë nuk ka ngjyrime politike greva jonë kërkon vetëm te drejtat njerëzore që meritojmë”, tha grevisti, Fatmir Lamaj.

Meta: Dëmshpërblimet janë dhënë

Por në një dalje publike në forumet e partisë së tij për shkak të garës për kryetarin e saj, Ilir Meta ju referua deklaratës se Ministrisë së Financave që dëmshpërblimet janë dhënë, kërkoi të respektohet ligji i kaluar në Parlament për këtë shtresë dhe gjeti rastin të akuzojë opozitën shqiptare se po ngrohet me benzinën që djeg grevistët. Meta u bashkua me qëndrimin e qeverisë në lidhje me këtë grevë.

“Për të gjetur mundësinë për të akuzuar qeverinë si të pashpirt, ndërkohë që nuk ka pashpirtësi më të madhe se sa të përpiqesh të ngrohesh me atë benzinë që jo vetëm shton vuajtjet e tyre, por e cila lëndon të gjithë shoqërinë tonë, ndaj unë mendoj që është shumë e rëndëishë që të ecim në rrugën e ligjit”, tha kryetari i LSI, Ilir Meta.

Protesta e ish të përndjekurve

Ndërkohë që paraditen e së enjtes u zhvillua edhe një protestë në mbështetje të kësaj greve së cilës ju bashkuan edhe aktivistë të Aleancës Kuq e Zi.  

Aktivistët e Aleancës të cilët marshuan nga Kulla e Sahatit u ndalën para parlamentit ku dogjën posterat e kryeministrit Berisha.

Ndërsa gjendja shëndetësore e grevistëve vjen duke u rënduar, për dy grevistët që i vunë flakën vetes, mjekët shprehën se kanë përmirësime në shëndet.

Ndërkaq, burime nga Partia Socialiste i thanë Top Channel se kryetari Rama, është interesuar gjatë ditës për mundësinë e kurimit të dy ish të përndjekurve grevistë jashtë Shqipërisë.

Burimet nga Partia Socialiste bëjnë me dije se ditën e premte do të tentohet që dy ish të përndjekurit të transportohen drejt Italisë dhe Greqisë në qëndra të specializuara në trajtimin e djegieve.

Top Channel