Doktor, flaka tek ata, plagët te ty

12/10/2012 00:00

Aleksander Cipa – Vetëflijimi i Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos, përbën
aktin më të rëndë të protestës në emër të një kauze të kategorisë
sociale, së cilës i përkasin. Janë dy ish të përndjekur politikë, të
cilët pakufinë e kurajës dhe të rebelimit e kanë cilësi të lartë
njerëzore.

Kishte disa vite që Shqipëria mungonte në kronikën e mediave ndërkombëtare për reagime dhe protesta të fuqishme me shkak social. Në rastin e kalimit të dy të përndjekurve nga greva e urisë në aktin sublim të vetëflijimit, kemi të bëjmë jo më me një qëndrim antagonist, por me një krizë e cila pashmangshmërisht bën palë qeverinë. Dhe fjala nuk është për krizë politike, siç mund të tentohet të banalizohet, por ka lidhje me krizën që ka sjellë zhbërjen meritokratike dhe vlerësimin si normë themelore të një shoqërie dhe shteti të së drejtës.

Përballë ish të përndjekurve politikë Ndreca dhe Bejko, Kryeministri i vendit është në pozitën më të vështirë të ndodhur ndonjëherë përgjatë karrierës së vet, madje edhe pas asaj të vitit 1997. Nuk është pozita e qeverisësit para kundërshtarëve politikë, por një moment i ri llogari-kërkimi për politikanin që këtë cilësi nuk e ka pasur dhe nuk e ka shprehur. Dy ish të përndjekurit e zhuritur në flakët e benzinës së trupit të tyre, kanë shkaktuar një traumë të fortë goditjeje politike mbi imazhin e zotit Berisha. Rasti është më i jehonshëm nga sa paraqitet në mediumet e skenës shqiptare. Është i ndryshëm në disa pikëpamje nga djegia e qytetarit të dëshpëruar grek para Parlamentit në Athinë në kulmin e krizës falimentuese që po përjeton vendi fqinj.

Të përndjekurit politikë që po vijojnë grevën e urisë dhe grupi i tyre, përfaqësojnë hapur një element të pakthyeshëm në realitetin social dhe politik të vendit. Ata po dimensionojnë realitetin e  kundërshtimit politik të ashpër, madje edhe ekstrem. Kjo në thelbin e vet është një kauzë. Historia dhe literatura këto kazuse i trajton gjerësisht dhe i konsideron si lajmërues, sakrifikantë të ndryshimit apo lëvizjes politike. Nën tensionin e kësaj përmbajtjeje, Kryeministri Berisha vetiu e mohoi kauzën e Gjergj Ndrecës së vetëzhuritur. Por pafuqia për ta bërë të besueshëm dhe bindës këtë, e tradhton edhe më tepër. Në përmbajtjen e vet, kundërshtia politike mes këtij grupi që rebelohet ndaj përvuajtjes në kohën që vlerëson dhe çmon përvuajtjen politike, krijon efektin ndëshkues për politikanin e vjetër Berisha. Është një përballje së cilës i është shmangur me shumë kujdes në dy dekadat e dominimit që i ka bërë skenës politike të vendit. Në kaq vite politikani Berisha e ka shfrytëzuar maksimalisht antikomunizmin. E shndërroi në doktrinë dhe kauzë, duke ia dalë të ngrihet e ringrihet politikisht. Oratorinë vlerësuese ndaj vuajtjeve dhe pësimit që diktatura u shkaktoi antikomunistëve, e mbajti vijueshmërisht në oktavën më të lartë të ligjërimit dhe shfaqjes politike të tij. Madje, me aftësi demagogjike e ripërdori atë nëpër ture zgjedhore, duke përfituar mbështetje dhe solidaritet në skenën politike dhe në arenën ndërkombëtare. Si askush tjetër e ka përdorur antikomunizmin si armën që e kompleksoi dhe vijon të kompleksojë ende opozitën politike të majtë, në mënyrë të veçantë udhëheqësinë e saj.

Mirëpo, në rastin e Gjergjit dhe Lirakut, “djalli ka dalë nga shishja”.

Nuk është një dalje në grevë, benzinën e së cilës e sjell opozita, pavarësisht mbështetjes së dukshme dhe të padukshme që ajo bën për grevistët. Në rastin e vetëflakosjes së tyre, çakmaku mund të jetë i dhuruar, por nuk është kurrsesi shërbesa që i ka mbledhur ish të përndjekurit në atë skutë që po shndërrohet në turp për Tiranën e vitit 2012 dhe sidomos për klasën politike të këtij vendi të shpërzhvatur. Opozita socialiste në vend është pala e shquar për diversitet mes “rrugës së butë” dhe “krahut për aksion” brenda saj. Më e dallueshme ka qenë kjo, sidomos pas ngjarjeve të rënda të 21 janarit të vitit 2011. Kjo është bërë e dukshme prej kohësh. Emrat e njohur të artikulimit politik socialist e dëshmojnë përsëritshëm, por pranohet tashmë edhe zyrtarisht në raport-progresin e BE-së. Prej grevës dhe akteve vetëflijuese të grevistëve, opozita sipas të gjitha gjasave ka për të nxjerrë përfitim politik. Por kjo është çështje e fundit, pavarësisht se Kryeministri po ia bën të gjithë shërbimin ta zbulojë si organizim dhe skenar të pastër opozitar. Në këtë aspekt, politikani Berisha ka një histori të pasur përvoje dhe inskenimesh, sidomos në ture zgjedhore dhe veçanërisht në periudhën e parë të karrierës së tij politike.

Përballë Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos, zoti Berisha i ka mundësitë të bëjë edhe doktorin, edhe Kryeministrin. Mirëpo, me zgjuarsi të pashpirtshme po preferon të bëjë Kryeministrin elektoral. Në këtë preferencë, Doktori është para faktit të dhimbjes prej plagës që i jep flaka mbi trupin e tyre.

Nuk e ka të lehtë këtë përballje, por sidomos nuk e ka të mundur ta shuajë efektin negativ të saj mbi imazhin dhe përgjegjësinë. Opozita socialiste, dje në Parlament e zhvendosi për interes të vet këtë përballje të Kryeministrit me grupin e ish të përndjekurve politikë. Mirëpo ende nuk ka mbaruar efekti. Vetë grevistët, vetëflijues të paparashikueshëm, po ringrihen në rolin e ripërsëritjes së trimërisë dhe kurajës së tyre qytetare, e cila natyrshëm po lexohet në mënyra të ndryshme dhe po në mënyra të ndryshme po ndiqet. Të dy ish të përndjekurit e vetëpërzhitur, janë tipat e rebelimit në emër të lirisë vetjake. Të pasur e kanë historinë dhe bëmat e tyre në jetë. Kjo e fundit është më e jehonshme jashtë sesa brenda. Se sa, dhe deri ku, qëndron diferenca mes jehonës jashtë dhe brenda, nuk mjafton të ndekësh mediat, por të përcjellësh reagimet në rrjetet sociale dhe hapësirën virtuale. Është një tronditje e përmasave të mëdha. Kjo ngjarje po ekspozon keqazi jo vetëm kontradiktën mes grupit socialpolitik dhe qeverisë, por më së shumti marrëdhëniet themelore mbi të cilat po funksionon çrregullisht shoqëria shqiptare.

Gazeta “Shqip”

Top Channel