Pavarësisht negociatave me presidentin në praninë e ndërkombëtarëve, në orët e pasdites situata në grevën e urisë së ish-të përndjekurve është tensionuar.

Grevistët thonë se janë keqtrajtuar nga policët, në disa raste edhe fizikisht, ndërsa këta të fundit u kanë hequr të gjitha lëngjet duke u lënë vetëm ujin.

Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, si dhe kanë deklaruar se nëse do të vazhdojnë të përballen me dhunën dhe masat shtrënguese të policisë do të shpallin grevën e vdekjes.

“Të vijë një përfaqësues i Avokatit të Popullit dhe të shohë se çfarë po bën policia. Policia na i ka hequr të gjitha gjërat. Me këtë sjellje të policisë, ne do shpallim grevën e vdekjes. Do heqim ujin dhe do vdesim këtu”, ka thënë një prej grevistëve.

Grevistët thonë se nuk u është lejuar asnjë kontakt me familjarët. Pas incidentit, organizatorët e grevës, të cilët nuk janë lejuar të kontaktojnë me grevistët, i janë drejtuar ambasadës amerikane për ndihmë, prej të cilës thonë se kanë marrë mbështetje për qetësimin e situatës.

“Përfaqësuesit e ambasadës, miqtë tanë që na kanë mbështetur, shprehën mbështetjen pas incidenteve që kemi pasur”, deklaroi koordinatori i grevës, Skënder Tufa.

Ndërkohë, pas takimit në ambasadën amerikane, dy organizatorët e grevës nuk janë lejuar sërish të hyjnë në ambjentet e ku po mbahet ajo. Po ashtu, është ndaluar të vizitojë grevistët edhe përfaqësuesi i FRD-së, Aleksandër Biberaj.

“Nuk më lejohet, është vendimi i tyre, por kjo është një urrejtje klasore që po instalohet çdo ditë në Shqipëri. Ata nuk mund të lihen të vdesin sot, 22 vjet pas rënies së regjimit komunist”, tha Biberaj.

Apeli i Ndrecës për grevistët

Pas disa orë urdhëtim me autoambulancë, ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca u përmend pak përpara se të linte tokën shqiptare, në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës.

Para se të hynte në Greqi, ku do të kurohet në një klinikë të specializuar, ish-i burgosuri politik që tentoi të vetëflijohej gjatë grevës së urisë në Tiranë dha këtë apel të shkurtër për njerëzit me të cilët ndau të njëjtën kauzë në grevën e urisë.

“Shokët të mbahen fort, në front të luftës deri në fund. Edhe në mos u kthefsha më, ua kam bërë hallal jetën”, tha Ndreca.

Pas kurimit në reanimacionin e pavionit të djegie-plastikës në Tiranë, 47-vjeçari Gjergj Ndreca u nis të premten paradite për një kurim më të specailzuar drejt Greqisë.

Ndërsa rreth orës 14:30 edhe pacienti tjetër Lirak Bejko, që po kurohej në QSUT, u nis drejt një klinike të specializuar në Romë. Për Bejkon është mundësuar një avion spitalor nga opozita për shkak se gjendja shëndetësore e tij ishte më e rëndë.

Rama falenderon Italinë e Greqinë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama falenderoi përzemërsisht autoritetet italiane dhe greke që “me një gatishmëri mbresëlënëse” iu përgjigjën lutjes së tij për të marrë përsipër kurimin në dy qendra të specializuar mjekësore të tyre dy të burgosurit politikë të diktaturës komuniste, Gjergj Ndreca e Lirak Bejko.

“Ata, me një akt të dëshpëruar për t’u dëgjuar dhe respektuar në dinjitetin e tyre njerëzor nga autoritetet shqiptare, në detyrë, i vunë flakën vetes”, thotë Rama në falenderimin e tij.

Rama falenderoi në mënyrë të posaçme guvernatorin e rajonit të Pulias dhe ambasadorin Italian në Tiranë, “i cili me humanizëm të spikatur mundësoi kapërcimin në kohë optimale të të gjitha barrierave burokratike”. 

Top Channel