Gjysmë-gafa e Romney-t në Ohio

06/11/2012 00:00

Beteja po afron dhe përpjekjet e kandidatëve për të fituar të pavendosurit janë në maksimumin e tyre. Por, ndërsa gjithë vëmendja tani është përqendruar te çdo fjalë apo gjest i dy kundërshtarëve në garën për Shtëpinë e Bardhë, republikanit Mitt Romney i shpëton një gjysmë-gafe.

“Humbja përballë Barak Obama-s është e mundshme”, ka thënë ai, gjatë një tubimi në Ohio, – “Por, nuk ka gjasa, që presidenti të dalë fitues nga këto zgjedhje”.

Deklarata ishte përgjigje ndaj vërshëllimave të simpatizantëve, që reaguan keq kur ish-guvernatori i Massachusets-it hipotetizoi pasojat e një mandati të dytë të rivalit demokrat.

Dhe nuk mjafton me kaq, por Obama ka arritur të sigurojë edhe mbështetjen e Financial Times, që e lëvdon për mënyrën se si përballoi krizën ekonomike.

Romney, ashtu si kundërshtari demokrat, është i angazhuar në një maratonë finale në katër shtete të lëkundura, ku do të kërkojnë votën e zgjedhësve të pavendosur.

Republikani do të ndalojë edhe në Pensilvani, një prej shteteve kyçe, ku fushata e tij zgjedhore ka vendosur të investojë miliona dollarë në spote televizive përgjatë javëve të fundit.

Asnjë republikan nuk fiton në këtë shtet, që prej 1988-s. Amerika shfaqet, ndërkohë, gjithmonë e më shumë e ndarë në dy pjesë, situatë që sjell në kujtesë sfidën e ashpër të vitit 2000, mes George Ë. Bush dhe Al Gore, ku u luftua deri në votën e  fundit.

Krahas garës për postin e Presidentit, nesër zhvillohet edhe gara për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 33 nga 100 vendet e Senatit.

Në përgjithësi, analistët thonë se republikanët do të vazhdojnë të mbajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Partia Demokrate mund të ruajë një shumicë të vogël në Senat.

Top Channel