Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se në takimin e së
mërkurës me homologun serb Ivica Daçiç nuk do të diskutohet për
statusin, por për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot.

Duke folur nga Zagrebi, pas takimit me kryeministrin kroat Zoran Milanoviç, Thaçi ka renditur problemet që sipas tij duhet t’i zgjidhë Serbia, në mënyrë që dialogu dypalësh të ketë sukses.

“Së pari duhet të zbatohen marrëveshjet teknike të arritura në dy vitet e fundit dhe së dyti, në mënyrë urgjente, duhet të largohen strukturat paralele, mbetjet e Millosheviçit në Kosovë, që gjithë bota e di se financohen nga Beogradi”, ka thënë Thaçi, i cituar nga “REL”.

I pyetur nëse është i gatshëm që me Daçiç të flasë për platformën e Serbisë për Kosovën, Thaçi ka nënvizuar se Serbia nuk ka të drejtë morale, politike e ligjore që të zgjidhë çështjen e Kosovës.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë së saj”, është shprehur Thaçi, i cili do të udhëtojë nga Zagrebi në Bruksel për t’u takuar nesër me kryeministrin serb.

Ndërkohë, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka thënë nga ana e tij se, beson se qeveria në Beogard do të jetë pragmatike në bisedimet me Prishtinën.

“Kroacia është e gatshme të japë ndihmën e saj në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës po qe se të dyja palët kanë besim, por ajo nuk dëshiron që këtë gjë ta imponojë”, ka thënë Milanoviç.

Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar dje nga zyra e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, qëllimi takimit të radhës është vijimi i dialogut për “normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”. 

Top Channel