Moskë, hetim djalit të Mitt Romney

06/11/2012 00:00

Deputetët e Dumës ruse kërkuan zhvillimin e një hetimi për të zbardhur qëllimin e vërtetë të vizitës në Moskë të Matt Romney-t, djalit të dytë të kandidatit republikan për president në Shtetet e Bashkuara, Mitt Romney.

Deputeti i “Rusia e Drejtë”, Mikhail Serdiuk dorëzoi në parlament kërkesën e tij për të zbardhur vizitën e Romney Jr. Pinjolli i familjes amerikane vizitoi Moskën pak ditë më parë për arsye biznesi, por sipas Serdiuk ai është takuar me një person i cili ka kontakte me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Romney Jr. sipas ligjvënësit rus, i ka dorëzuar një mesazh të babait të tij për presidentin Putin. Ai e akuzon atë për “lojë të dyfishtë”, ndaj Serdiuk kërkon zbardhjen e “mesazhit misterioz”.

Mitt Romney nuk shihet me sy të mirë në Moskë, sidomos pas deklaratës së lëshuar në debatin e parë presidencial me Barack Obaman ku vlerësoi se Rusia është ndër “armiqtë potencialë” të Shteteve të Bashkuara. Ky pretendim i tij u rrëzua nga presidenti dhe kandidati demokrat, Barack Obama që deklaroi se vitet e luftës së ftohtë tashmë kishin përfunduar.

Top Channel