Ku ndryshojnë Romney dhe Obama?

06/11/2012 00:00

Zgjedhjet e 2012 në SHBA pa diskutim që janë ndër më të veçantat në të gjithë historinë. Duke filluar që nga shpenzimet e realizuara, ku dy kampet kryesore: republikanët dhe demokratët, harxhuan plot 2 miliardë dollarë.

Gara që bëhej e nxehtë pas çdo dite aktivizoi në politikë edhe një pjesë e të VIP-ave amerikanë. E nëse fitorja do përcaktohej nga ata pa diskutim që Barack Obama siguron mandatin e dytë. Morgan Freeman, George, Cloney, Eva Longoria, Kerry Washington,  Scarlett Johansson, Byonce, J-zee, Madona, Kety Perry e shumë të tjerë përkrahin afrikano-amerikanin për një mandat të dytë.

Ndërsa në kampin republikan bie në sy mbështetja e Clint Eastwood, Melissa Joan Hart apo Lindsey Lohan. Por ndër ta ka shumë diferenca edhe në familje. Si rasti i Brad Pitt dhe mamasë së tij, Brad mbështet Obamën ndërsa Jane, Romney-n. Ndërkohë kësaj gare nuk i munguan as gafat nga kandidati republikan. Komentet e tij se 47% e amerikanëve janë viktima që varen nga qeveria tronditën pozitat e tij në prag të zgjedhjeve.

Meqë nuk po realizon dot dëshirën e tij për të garuar si president, Donald Trump, nuk rri jashtë fushatës. Deklaratat e tij kontroverse se ka në dorë dokumente që do të dëmtojnë figurën e Barack Obamës nuk rezultuan gjë tjetër vetëm flluska sapuni. Një aktor tjetër në këto zgjedhje ishte edhe uragani Sandy. Stuhia gati apokaliptike zhvendosi disa ditë vëmendjen nga fushata. Presidenti Obama e menaxhoi me kujdes situatën dhe për këtë mori edhe vlerësimin e kundërshtarëve republikanë.

Të gjithë këta faktorë rezultatin do e japin sot, sepse sot amerikanët vendosin se kush do i drejtojë ata në katër vitet e ardhshme.

Analizë për kandidatët për president të SHBA-së

1. Politikë e jashtme

Obama kundërshton një sulm ushtarak ndaj Iranit, por mendon se duhet konisderuar opsion i hapur nëse mbetet e vetmja mënyrë për të ndaluar vendin islamik nga prodhimi i armëve bërthamore.

Nuk pranoi një ndërhyrje ushtarake në Siri, por kërkoi rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë siriane. Nuk e ka mbështetur Izraelin për ndërtimin e vendbanimeve në zonat e diskutueshme dhe ka nxitur edhe palestinezët për të rinisur negociatat e paqes. Nënshkroi ligjin për të zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe civil me Izraelin. Kërkoi ndëshkime kundër Kinës për tregti të padrejtë, por kundërshtoi etiketimin e Kinës si manipuluese të monedhës.

Sipas Romney-t, Amerika duhet të paraqesë një kërcënim të qartë ushtarak ndaj Iranit dhe mbështet pretendimet izraelite për të vepruar kundër objektivave bërthamorë iraniane, megjithatë sulmin ushtarak e konsideron zgjidhjen e fundit. Përjashton veprime ushtarake në Siri për momentin, por kërkon mbështetje më të madhe për opozitën siriane. Duhet krijuar një bashkëpunim më i ngushtë me vijën e ashpër të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe premton më shumë ndihmë ushtarake ndaj Izraelit. Rusinë e konsideron armikun numër 1 gjeopolotik të SHBA-së. Kërcënon Kinën se përmes manipulimit që ka bërë me emetimin e monedhës duhen marrë sanksione të gjera tregtare.

2. Terrorizmi

Obama – Miratoi sulmin që gjeti dhe ekzekutoi Osama bin Ladenin, vendosi që në SHBA nuk do të përdoren teknika të ashpra të marrjes në pyetje, praktikë e përdorur gjatë presidencës së Xhorxh Ë. Bushit. Ka ndjekur kryesisht politikat anti-terrorizëm të presidentit Bush duke përfshirë ndalimin e të dyshuarve në Guantanamo, pavarësisht premtimit për të mbyllur burgun. Shumë pikëpyetje u ngritën mbi shërbimet inteligjente pas sulmeve në konsullatën amerikane në Libi.

Romney mendon se e drejta kushtetuese nuk duhet të përfshijë personat e huaj të dyshuar për terrorizëm. Në vitin 2007 refuzoi të përjashtonte përdorimin e torturave me ujë për të marrë në pyetje të dyshuarit si terroristë. Sipas tij, kjo procedurë nuk duhet konsideruar torturë.

3. Lufta

Obama: Përfundoi luftën në Irak, rriti praninë e trupave amerikane në Afganistan, me plan për tu tërhequr plotësisht në vitin 2014. Miratoi ndërhyrjen nga ajri të ushtrisë së SHBA-së në fushatën e udhëhqeur nga NATO në ndihmë të opozitës libiane për të rrëzuar qeverinë. Miratoi uljen e shpenzimeve në fushën e ushtrisë.

Romney
do të rrisë fuqinë e forcave të armatosura, duke përfshirë numrin e trupave dhe anijeve, duke shtuar pothuajse 100 miliardë dollarë në buxhetin e Pentagonit në vitin 2016.

4. Ekonomia

Obama trashëgoi një ekonomi në recension, por përmes një stimuli me 800 miliardë dollarë arriti që brenda 6 muajve të sillte rritjen ekonomike në Amerikë. Normat e papunësisë në nivelin 7.9 – 8% janë konsideruar si normale.

Romney premton taksa më të ulta, më pak rregulla shtërnguese, një buxheti i balancuar dhe zhvillim i tregtisë për të nxitur rritjen ekonomike.
 
5. Aborti dhe kontrolli i lindjeve


Obama
mbështet abortin dhe ligji i kujdesit shëndetësor kërkon që kontaceptivët të jepen falas.

Romney kundërshton abortin, përveç në rastet e përdhunimit, incestit apo rrezikut për jetën e gruas.

Profili i Romney

Konventa e Partisë Republikane në Tampa të Floridas, më 28 gusht, vendosi që Mitt Romney do jetë sfidanti i Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit. Z. Romney, ish-guvernatori i Massachusetts, u fut në garë si një njeri shumë i pasur, biznesmen i suksesshëm, me një profil kombëtar të pëlqyeshëm dhe një rrjet të gjerë financuesish e mbështetësish të mbetur nga përpjekja e dështuar e vitit 2008 drejt Shtëpisë së Bardhë.

Me nofullat e tij katrore, sy të shndritshëm dhe flokët gjysmë të thinjura e të palëvizshme, disa e shohin atë si një kandidat presidencial që lufton më shumë drejt qendrës. Z. Romney humbi në garën për nominim brenda partisë së tij në vitin 2008, kur përballë kishte senatorin e Arizonës, John McCain.

Ndërkohë që Barack Obama bëhej gati për tu futur në shtëpinë e bardhë si president, Mit Romney filloi ndërtimin e mbështetjes për vitin 2012. Romney shpreson se background-i i tij në biznes do ta ndihmojë atë të bindë votuesit se ai mund të menaxhojë më mirë se presidenti Obama rimëkëmbjen e lëkundër të ekonomisë më të madhe në botë. Me Partinë Republikane familja Romney ka një lidhje shumë të hershme. George Romney, babai i Mit, ish-guvernator i shtetit të Michiganit, kandidoi për nominimin republikan në presidencialet e vitit 1968.

Mitt Romney ka shërbyer dy vite si misionar mormon në Francë, pastaj shkoi në Universitetin Brigam Jang dhe ka studiuar ligjin dhe biznesin në Harvard. Në vitin 1994, zoti Romni u përpoq për të mundur ish-senatorin veteran të Partisë Demokrate, Ted Kennedy. Ai humbi, por ngriti profilin e tij në shtet dhe në mesin e republikanëve në shkallë kombëtare. Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë.

Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City. Si guvernator, ai nënshkroi një ligj për rregullim të plotë të kujdesit shëndetësor për të gjitha banorët e Massachusetts. Kritikët kanë akuzuar ish-guvernatorin si përgjegjës për sulmin që i kanë bërë republikanët planit të presdidentit Obama për shëndetësinë në vitin 2010, i cili në parim është i njëjtë me programin e nënshkruar nga Romney në vitin 2006. Z. Romney është përballur edhe me dyshime në lidhje me angazhimin e tij për parimet konservatore në shoqërori.

Gjatë qëndrimit të tij si guvernator i Massachusetts, një vendim gjykate e bëri shtetin e drejtuar nga Romney të parin që lejon martesat mes personave të së njëjtës gjini. Z. Romney dha një kritikë të kualifikuar të atij vendimi, duke thënë se ligjet e martesës duhet të ndryshohen vetëm me votën e popullit dhe kërkoi mbështetje për një amendament shtetëror kushtetues që ndalon martesat e njerëzve me prirje homoseksuale.

Në garën e vitit 2008, zoti Romni u përpoq të parqesë veten si një konservator, suksesi i të cilit në Massachusetts tregoi se ai mund të fitojë mbi votuesit demokratë dhe të pavarur. Por zoti Romney nuk ishte në gjendje për të kapërcyer dyshimet për vërtetësinë e tij dhe akuzat se ai kishte ndryshuar qëndrimet e tij mbi abortin dhe të drejtat e homoseksualëve thjesht për të fituar mbështetjen e elektoratit konservator të Partisë Republikane. 

Këtë herë, zoti Romney kërkoi të mbetet larg përplasjeve brenda kampit republikan duke përdorur taktikën e tij drejt presidencës. Përvoja nga gara e vitit 2008 rezultoi shumë e vlefshme, në veçanti në një seri debatesh televizive rraskapitës. Mitt Romney është 65 vjeç, prej më shumë se katër dekadash ai është i martuar me Ann Romney dhe kanë 5 djem.

Profili i Obama

Barack Hussein Obama bëri historinë më 4 nëntor 2008, kur ai me lehtësi mposhti rivalin republikan John McCain për t’u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara.

Në moshën 47-vjeçare kur mori detyrën, zoti Obama ishte edhe presidenti i parë urban që nga Harry Truman dhe presidenti i parë i lindur në Hauai. Më shumë se një milionë përkrahës dhe pjesëmarrës qëndruan në të ftohtë për të ndjekur inagurimin e z.Obama. Pasi mori detyrën, demokratët mposhtën kundërshtimin e republikanëve për një program ekonomik stimulues, reformën në sistemin shëndetësor, vendosjen e rregullave të reja për Uoll Strit dhe industrinë bankare si dhe shpëtimin e industrisë amerikane të automobilave nga kolapsi.

Më vonë, ai dhe demokratët amerikanë hodhën poshtë një ligj dy dekada të vjetër që ndalon haptazi homoseksualët për të shërbyer në ushtrinë amerikane. Obama përdori veton presidenciale dhe veproi pa miratimin e Kongresit duke mbrojtur nga dëbimi disa emigrantë të ardhur në SHBA që fëmijë. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.

Obama dërgoi një ekip të komandove për të vrarë Osama Bin Ladenin, çoi drejt fundit luftën amerikane në Irak, reduktoi forcat amerikane në afganistan me plan që në 2014 për tu tërhequr plotësisht  si dhe nënshkroi një traktat të ri për armët bërthamor me ish-presidentin rus Dmitri Medvedev.

Pas diplomimit nga Universiteti Columbia në Nju Jork, Obama punoi për tre vjet në një komunitet në lagjet e varfra të Çikagos. Ai më pas studio në Fakultetin Juridik të Harvardit, duke u bërë i pari president afro-amerikan i revistës ligjore Harvard.

Duke punuar në një firmë ligjore në Chicago, ai u takua me Michelle Robinson. Çifti u martua në vitin 1992 dhe kanë dy vajza, Malia dhe Sasha. Pas Harvardit, Obama u kthye në Çikago për të praktikuar ligjin e të drejtave civile, që përfaqëson viktimat e strehimit dhe diskriminimit të punësimit. Ai u bashkua me fakultetin juridik në Universitetin e Çikagos, ku cilësohej si një professor mjaft popullor dhe një mendimtar i jashtëzakonshëm në fushën juridike. Kur Obama filloi fushatën e tij presidenciale në shkurt 2007, kishte qenë në Senat vetëm dy vjet dhe kundërshtarët e tij kërkonin ta parqisnin atë si të pakualifikuar dhe papërgatitur për presidencën. Por fushata e tij emocionoi miliona liberalë, veçanërisht votues të rinj, të cilët ishin të zjarrtë për diçka të re në Uashington pas dy mandateve nën George W. Bush.

Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Zoti Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme. Por a do i besojnë Barack Obamës edhe katër vjet të tjera amerikanët?

Top Channel