Tirana dhe Prishtina urojnë Obamën

07/11/2012 00:00

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar Barak Obamën për rizgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara.

Rizgjedhja juaj në këtë post, shkruhet në telegram, më jep nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’ ju përcjell urimet më të ngrohta dhe miqësore për sa më shumë sukses dhe mbarësi.

Presidenti shqiptar shprehet i bindur se bashkëpunimi, partneriteti dhe miqësia do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej në interes të begatisë së dy popujeve tanë.

Më tej, në telegram theksohet se ky është një kurorëzim i përpjekjeve në dobi të popullit amerikan dhe të paqes e sigurisë në mbarë botën.

Berisha: U votua ndryshimi i prekshëm

Kryeministri Berisha uroi presidentin Obama për fitoren duke thënë se atë e votuan jo për atë që ka bërë, por për atë që do të bëjë.

“Midis ndryshimit të premtuar në letër dhe atij të gjallë, qytetarët zgjodhën vazhdimin e ndryshimit të presidentit Obama, si ndryshimi më i prekshëm dhe më i sigurtë”, deklaroi Berisha.

Nga salla e mbledhjeve të qeverisë, Berisha ftoi sërish kryetarin e opozitës që të bashkëpunojë për të miratuar ligjet që i shërbejnë integrimit të vendit.

Rama: Fitoi platforma për të varfërit

“Fitorja e presidentit Obama është fitorja e një platforme që mbron shtresën e mesme e të varfër dhe perspektivën e ëndrrës amerikane!”.

Këtë koment të parë ka shkruar kreu i opozitës Edi Rama në Twitter, pasi Barack Obama siguroi fitoren përkundrejt rivalit Mitt Romney.

Pikëpamjes së këtij të fundit se të pasurit duhet të paguajnë më pak, Rama ia adreson edhe mos mbështetjen e shumicës së amerikanëve ndaj tij.

“Humbja e rivalit të presidentit është humbja e idesë se të pasurit duhet të paguajnë më pak taksa dhe shteti të ofrojë më pak shërbime!”, shkruan Rama.

Rama e lidh këtë me platformën ekonomike dhe sociale që opozita në Shqipëri mbështet dhe që lidhet me taksën progresive dhe me sigurimin nga ana e shtetit të shërbimeve edhe për qytetarët që s’kanë mundësi të paguajnë.

Jahjaga dhe Thaçi urojnë Obamën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i përcolli Barak Obamës urimet me rastin e rizgjedhjes së tij President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në letrën e drejtuar shefit të Shtëpisë së Bardhë nga kryetarja e shtetit kosovar, përgëzohet Obama, por edhe populli amerikan për përkushtimin që ta realizojnë të drejtën e votës duke qenë pjesëmarrës në forcimin e demokracisë dhe idealeve që shquajnë Amerikën.

“Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë frymëzim për të gjithë ne që punojmë për krijimin e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e demokracisë së mirëfilltë”, thote Jahjaga në mesazhin e saj.

Presidentja thekson më tej se Kosova mbetet një aleat dhe partner i përkushtuar i Uashingtonit dhe angazhohet fuqimisht për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Urime për këtë fitore i përcolli Barak Obamës edhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi. “Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë ngjarje madhore jo vetëm në vendin tuaj, por në të gjithe boten sepse ndikimi i vendit ka përmasa globale”, thotë Thaçi.

Kryeministri thekson edhe një herë në mesazhin e tij faktin që Kosova dhe qytetarët e saj i janë mirënjohës SHBA-ve për përkrahjen dhe ndihmën e dhënë në të kaluarën, në ditët e sotme dhe atë që mund të vijë në të ardhmen.

Top Channel