Europa mirëpret Obamën

07/11/2012 16:15

Rizgjedhja e Barack Obama për një mandat të ri katërvjeçar në krye të Shteteve të Bashkuara është mirëpritur nga të gjithë krerët e institucioneve evropiane me seli në Bruksel e Strasburg, e sigurisht dhe nga NATO.

“Kemi kënaqësinë t’i shprehim përgëzimet tona të ngrohta presidentit Obama për rizgjedhjen e tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, përshëndetën në një deklaratë të përbashkët presidenti i BE-së Herman Van Rompuy dhe ai i Komisionit, Jose Manuel Barroso.

Me partnerin më kyç stragjik, BE pret vijimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë dhe ekonomisë, por edhe në çështjet e politikës së jashtme dhe promovimit të vlerave të përbashkëta.

“SHBA dhe BE janë aleatët më të ngushtë në botë. Partneriteti ynë bazohet gjerësisht mbi interesa dhe vlera të përbashkëta: liria, demokracia, respekti për ligjet ndërkombëtare, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut”, përforcoi Martin Schulz, president i Parlamentit Evropian.

Nga Strasburgu, edhe përgëzimet e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, lidhen ngushtë me vijimin e përpjekjeve të përbashkëta me SHBA për promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në përgëzimet e rastit, kujtoi se presidenti Obama ka dëshmuar lidership të jashtëzakonshëm për ruajtjen e lidhjes së fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, e cila nëpërmjet Aleancës 60-vjeçare vijon të garantojë ruajtjen e paqes dhe të sigurisë euro-atlantike.

Top Channel