“Integrim i menaxhuar i Kosovës me xhandarmërinë serbe në veri”. Kështu i cilëson lëvizja Vetëvendosje rezultatet e taktimeve Thaçi-Daçiç.

Pikërisht në ditën kur do të zhvillohet takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Vetëvendosje vendosi nëpër qytete të Kosovës këto afishe në shenjë proteste kundër dialogut.

Duke iu referuar pamjeve të fundit të cilat tregojnë prezencën e uniformave të MUP-it serb, Frashër Krasniqi tha:

“Serbia nëpërmjet negociatave po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës, duke i legalizuar strukturat e saj paralele kriminale. Këtë e kemi vërejtur edhe në kohët e fundit kur strukturat e saj në veri kanë tentuar të marrin rolin e strukturave legjitime për atë pjese”.

Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia përmes këtij proçesi po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian, para Kosovës dhe Shqipërisë.

E gjithë kjo, për lëvizjen Vetëvendosje, ka një shpejgim. Sipas Krasniqit, Thaçi e ka kuptuar që nënshtrimi ndaj Serbisë është e vetmja mënyrë për të që të ruajë edhe më tej pushtetin.

Autoritetet në Prishtinë kanë konfirmuar se këtë të mërkurë zhvillohet takimi i dytë Thaçi-Daçiç në kuadër të dialogut politik. Temat që do të diskutohen janë zbatimi i marrëveshjeve që janë arritur në raundet e para të dialogut, veçanërisht ajo për menaxhimin e integruar të kufirit.

Muajin e kaluar lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti mbajti një protestë në Prishtinë kundër takimit të parë Daçiç-Thaçi, protestë që degjeneroi në dhunë mes aktivistëve të Vetëvendosjes dhe agjentëve të policisë së Kosovës. 

Top Channel