Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë zhvillojnë të mërkurën takimin e dytë në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane.

Ndryshe nga takimi i parë i nivelit më të lartë politik mes dy vendeve, që u zhvillua më 19 tetor, takimi i sotëm pritet të jetë më i gjatë.

Pas bisedave të veçanta me Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçin, Catherine Ashton planifikon që bisedimet e sotme mes dy palëve të zhvillohen gjatë një darke pune, e cila parashikohet të nisë rreth orës 8 të mbrëmjes.

Sipas përkufizimit të Brukselit, dialogu synon “normalizimin” e mardhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, në kuadër të së ardhmes të përbashkët evropiane.

Temat e pritshme të këtij dialogu politik pritet të jenë marrëveshjet e pazbatuara apo të lëna pezull që u arritën gjatë dialogut të mëparshëm teknik të ndërmjetësuar nga zyrtari evropian në pension, Robert Cooper.

Ajo që nuk ka ndryshuar deri më sot janë qëndrimet e Beogradit dhe të Prishtinës zyrtare kur secili prej tyre deklaron se këto bisedime apo rezultatet e tyre nuk do të shkelin kushtetutën e vendit që përfaqësojnë.

Top Channel